Muzetë e Beratit, destinacioni i preferuar i turistëve të huaj

TIRANË,1 gusht /ATSH/ – Muzetë e Qendrës Muzeore Berat, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik vazhdojnë të jenë destinacionet më të kërkuara nga turistët e vizitorët edhe për muajin korrik.

Numri i tyre këtë muaj arriti në 6 818 vizitorë, 2 529 vizitorë më shumë se në muajin korrik të vitit 2017, pra ka një rritje me 60%.

Ndërsa për periudhën janar – korrik 2018, këta muze u vizituan nga 29 898 turistë vendas dhe të huaj, shifër që rezulton të jetë 9 645 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar pra me një rritje me 48%.

Pak histori mbi muzetë…

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati perdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemere në harkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond te pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat,është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë. Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.