“Unë jam si ti!”, instalacion kundër fenomenit të trafikimit të personave

TIRANË, 31 Korrik/ATSH-A.Fortuzi/- Ministria e Punëve të Brendshme vijon fushatën e saj kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Kështu në kuadër të Ditës Botërore të Trafikimit të Qënieve Njerëzore, 30-Korrikut, Ministria e Brendshme organzioi një aktivitet sensibilizues në Tiranë.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka përuruar një instalacion ndërgjegjësues në kuadër të luftës nga këtij fenomeni. Aktiviteti u zhvillua në Parkun “Rinia” në Tiranë në bashkëpunim me organizatën “Të ndryshëm & Të Barabartë”.

Instalacioni ndërgjegjësues “UNË JAM SI TI!” është realizuar nga një grup vajzash që i kanë mbijetuar trafikimit dhe është i vendosur në ambjentet e Parkut “Rinia”, ku do të qëndrojë deri ditën e premte për këdo që do ta vizitojë.

Një nismë e tillë nga viktima të trafikimit, realizohet për herë të parë në Shqipëri ndërsa grupi i vajzave që i kanë mbijetuar trafikimit kanë realizuar me shumë përkushtim dhe dashuri fushatën ndërgjegjësuese “UNE JAM SI TI! UNË JA DOLA MBANË! EDHE TI MUNDESH!”.

Ky inaugurim kulmon një sërë aktivitetesh që kanë marrë jetë nga kjo fushatë duke përcjellë shumë mesazhe shprese dhe vetëdijësimi. Zv.ministrja e Brendshme njëkohësisht edhe Koordinatorja Kombëtare për Luftën kundër trafikimit të Personave, Rovena Voda e ka përkrahur këtë fushatë që në fillimet e saj.
Aktivitetet ndërgjegjësuese do të vijojnë në qytete të tjera, ndërsa etapa më e afërt është Vlora. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.