Tabaku: Gjykata Europiane e Auditimit, 1 në 3 tendera jepen pa garë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në një konferencë për mediet tha se “Gjykata Europiane e Auditimit konfirmon se 1 në 3 tendera jepen pa garë”.

Ajo tha se kjo qeveri po vjedh edhe taksat e qytetarëve të saj. “Ajo vjedh 1/3 e taksave të shqiptarëve përmes tenderave publikë! Kjo është dhe arsyeja pse Rama rriti taksat. Sa më shumë para i merr qytetarëve, aq më shumë mundësi për të vjedhur. Tani ky përkufizim nuk është më vetëm një konstatim i Partisë Demokratike, por është përfundimi i një analize të detajuar që Gjykata Europiane e Auditimit i ka bërë vjedhjes së frikshme me tenderët publikë në Shqipëri”, – tha Tabaku.

Tani, vijoi Tabaku, “është botërisht i njohur fakti se qeveria është e angazhuar personalisht që në këto tendera të fitojnë kompanitë klientë të saj, të cilat ndajnë vjedhjen me vetë Kryeministrin dhe ministrat e tij”.

“Kryeministri Rama dhe qeveria e tij po e trajtojnë pushtetin si një tepsi, ku secili ministër ndan llokmën e tij me oligarkët dhe me klientët e besuar, duke shkatërruar konkurencën e ndershme, – tha Tabaku, duke shtuar se, – korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë është arsyeja kryesore që po mban larg investimet e huaja”.

Deputetja demokrate theksoi se, “PD ka denoncuar faktin se, koncesioni i inceneratorëve 178 milionë euro u dha pa garë, koncesionet në shëndetësi i janë dhënë miqve të Kryeministrit”. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.