Qeveria miraton dhënien e lejes për hapjen e shkollave private parauniversitare

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – Qeveria shqiptare, në mbledhjen e saj të radhës miratoi dhënien e disa lejeve për hapje të institucioneve të reja të arsimit parauniversitar privat dhe të arsimit të lartë jopublik.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar “Kings Tirana”, shoqërisë “SAPAUD”, sh.p.k.

Në institucionin arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë, “Kings Tirana” mësimi do të zhvillohet në gjuhë të huaj anglisht. Në lëndët si “Gjuhë shqipe”, “Letërsi shqipe”, “Historia e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë”, mësimi do të zhvillohet, detyrimisht, në gjuhën shqipe.

Institucioni arsimor privat “Kings Tirana” të ofrojë arsimim parauniversitar në nivelet arsim bazë dhe arsim i mesëm i lartë (gjimnaz) dhe forma e arsimimit të jetë arsimim me kohë të plotë.

Gjithashtu qeveria miratoi dhënien e lejes për hapjen e institucionit të arsimit të lartë jopublik, me statusin e kolegjit profesional të lartë, “Tirana Esthetics & Style School” (në vijim, kolegji profesional i lartë “TESS”), i cili ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës, shoqërisë “NLT”, sh.p.k.

Kolegji profesional i lartë “TESS” do të organizohet në dy departamente: a) Departamenti i Estetikë-Nutricionit; b) Departamenti i Kozmetologjisë.

Kolegji profesional i lartë “TESS” të ofrojë programe të studimeve jouniversitare profesionale, 1 ose 2 vite akademike, pas arsimit të mesëm.

Kolegji profesional i lartë “TESS” të fillojë veprimtarinë e tij, vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi mbledhjen e së martës dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “British School of Tirana” shoqërisë “British School of Tirana”, sh.p.k.

Në institucionin arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “British School of Tirana”, mësimi të zhvillohet në gjuhën angleze. Në lëndët “Gjuhë shqipe”, “Letërsi shqipe”, “Histori e kombit shqiptar” dhe “Gjeografi e Shqipërisë” mësimi të zhvillohet, detyrimisht, në gjuhën shqipe. Institucioni arsimor privat parauniversitar “British School of Tirana” të ofrojë arsimim parauniversitar në nivelin e arsimit bazë dhe forma e arsimimit të jetë arsimim me kohë të plotë.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “British School of Tirana”, me fillimin dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, duhet të raportojë në njësinë arsimore vendore, brenda afateve të përcaktuara, për të gjitha regullat e parashtruara që përcakton ligji. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.