Platforma e bashkëqeverisjes, rriti vëmendjen dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve

245

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një interviste televizive se platforma “shqiperiaqeduam.al”, është një novacion që ka rritur vëmendjen dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve.

I pyetur nëse “shqiperiaqeduam.al” është ilaçi, është fluidi që nxjerr dobësinë e institucioneve, apo është mekanizmi që zgjidh të gjitha shqetësimet?

Kryeministri Rama tha se, “shqiperiaqeduam.al” është as më shumë e as më pak, por shfrytëzimi i teknologjisë, është një novacion për t’i transformuar zyrat e marrëdhënieve me publikun që kanë ekzistuar historikisht nga paradhoma zvarritjesh dhe lodhjesh të kota në një instrument real në xhepin e çdo qytetari, që ka një smartphone apo për çdo qytetar që shkon te njësia administrative, apo tek posta, apo ku e di unë dhe në kompjuter akseson në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrin përkatës.

Pra, theksoi Rama, ky portal është thjesht dhe vetëm vendosja e një ure komunikimi të drejtpërdrejtë, pa vonesa, pa filtra, pa ngatërresa, pa kushurinj, pa sekserë, pa parti mes teje si qytetar dhe mes meje si ministër, apo kryeministër dhe çfarë bën kjo për administratën.

“Kjo bën atë që duhet të bënte çdo letër që historikisht qindra-mijëra njerëz kanë çuar në një institucion, çdo trokitje që qindra-mijëra njerëz kanë bërë në një institucion, duhet të vinte në lëvizje, vë në lëvizje ministrin dhe fillon menjëherë një procedurë që është procedurë zyrtare institucionale për të verifikuar ankesën. Dhe në momentin kur ankesa verifikohet e drejtë, qytetari merr drejtësi dhe nga ana tjetër krijohet mundësia që kalbëzimi i administratës, i trashëguar, të luftohet konkretisht me emra konkretë”, – tha Kryeministri.

Ndërsa shtoi se, kështu rrisim shumë dhe kemi rritur shumë vëmendjen e administratës ndaj qytetarëve, shërbimeve ndaj qytetarëve, sepse gjithmonë e më shumë nëpunësit po e kuptojnë që nëse më vjen kushdo qoftë dhe unë nuk i jap atë që i takon, mund të më marrë në qafë, pavarësisht se është një zonjë e moshuar, që duket si njeri pa njeri.

“I thotë nipit ‘ço ankesën’ dhe ngrihet ministri apo ministrja në këmbë dhe merret me mua dhe nga ana tjetër bën të mundur, që edhe aty të ndahet si tek Vetingu ai që duhet të rrijë dhe ai që duhet të ikë. Pra, është një proces shumë pozitiv dhe është real dhe është fatkeqësi e madhe të shikosh çdo javë që unë i shoh rezultatet, ajo që thoni ju, e marrin për 10 ditë atë që nuk kanë marrë për 10 vjet. Tani nëse e merr për 10 ditë atë që nuk ke marrë për 10 vjet, dikush ka një përgjegjësi dhe këtë bën platforma, nxjerr përgjegjësit. Kush e ka dosjen, kush është përgjegjës për atë dosje dhe ai përgjegjës merr masën sipas rastit”, – tha Kryeministri.

Rama deklaroi se, asnjëherë nuk do të mbyllet platforma, sepse platforma është edhe një herë aq sa mbyllen zyrat e shtetit. Ke dëgjuar ndonjëherë të mbyllen zyrat e shtetit, zyrat e marrëdhënieve me publikun?

Kryeministri nënvizoi se gjithmonë do të ketë nevojë për një komunikim, se çfarë natyre do të kenë problemet, sigurisht që do të kenë natyrë tjetër, do të kenë proporcione të tjera, por gjithmonë do të ketë nevojë, sepse është zyra e marrëdhënieve me publikun në xhepin e qytetarit.

“Ne kemi patur deri më tani tri vizita nga qeveri të tjera për këtë platformë. Një qeveri është qeveri e një vendi anëtar të BE-së, sepse janë të interesuar për të parë si funksionon. Merr gjithë zyrat që ka Shqipëria, futi në një zyrë dhe jepi qytetarëve një adresë për çdo problem që kanë me shërbimet dhe një rrjet i tërë njerëzish prapa ekranit merret drejtpërdrejt, siç do të duhet të merreshin. Kryeministria ka patur historikisht zyrën e marrëdhënieve me publikun. Vinin letra këtu me mijëra, me mijëra, me qindra-mijëra letra. Njëzet e ca vjet e merrte letrën e çonte te ministria, ministria kthente përgjigjen shabllon, qytetari për çfarë erdhe në kryeministri. Ndërkohë që platforma krijon akses të drejtpërdrejtë, sepse për çdo ankesë”, – deklaroi Rama.

Platforma është miku që ti e ke në xhep për të shkuar te ministri, qofsh në qytet, qofsh në fshat, qofsh njeri me emër, qofsh bari me lopë ose me dele”, – u shpreh Kryeministri Rama.

/e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.