Në shtator, nis reforma e bashkimit të institucioneve të pronësisë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me koordinatorët e bashkëqeverisjes me qytetarët deklaroi se në muajin shtator do të nisë reforma e bashkimit të institucioneve që merren me trajtimin e pronës.

Duke marrë shkas nga rasti i qytetarit që kishte 12 vjet sorollatje sa tek ALUIZNI sa tek Hipotekat, kryeministri tha se synimi është që Hipoteka dhe ALUIZN-i të jenë në një institucion.

Në fund të këtij mandati, theksoi Kryeministri Rama, është vendosur si qëllim që titujt e pronësisë të jepen më shpejt përmes një programi dixhitalizimi.

“Në shtator jemi gati të lançojëm reformën që kemi filluar që të punojnë që verën e shkuar. Pa u formuar ende qeveria, reformën e bashkimit të institucioneve të pronës, për të pasur një agjenci kombëtare të pronës. Për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, por për të pasur një institucion dhe një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore dhe do të racionalizojë burimet njerëzore. Do të mundësojë një ecuri të shpejtë. Në fund të mandatit do të kemi një lehtësi për dhënien e titujve të pronësisë, përmes një programi dixhitalizimi”, tha Rama.

“Do krijojmë brenda këtij institucioni të ri një strukturë apeli në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të shkojnë menjëherë në gjykatë, por të kenë mundësi të apelojnë brenda institucionit. Një strukturë autonome, një avokate e qytetarit që do ulë në mënyrë drastike kohën, mundimet dhe sidomos dëshpërimin që krijohet kur shkon në gjykatë për një gjë që e di që ke të drejtë”, theksoi kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.