Kosovë, Agjencia e Privatizimit miraton listën e shitjes së 44 aseteve atraktive

PRISHTINË, 31 Korrik /ATSH/.-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në një mbledhje të rregullt miratoi listën e valës së shitjes së aseteve me Likuidim 41.

“Kjo valë përfshinë 44 asete atraktive në Kosovë, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për investitorët potencialë që kanë interesim për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në Kosovë”, deklaroi sot Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Bordi miratoi edhe Udhëzuesin e brendshëm për procedurat e parcelizimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, procedurë kjo e vlerësuar tejet e rëndësishme gjatë përgatitjes së këtyre parcelave për procesin e shitjes me privatizim/likuidim si dhe rastet tjera të transformimit të pronësisë të paraparë me Ligjin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Gjatë mbledhjejes, Bordi aprovoi disa qiradhënie të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në administrim direkt dhe atyre në likuidim. Poashtu, u aprovua shpërndarja e mjeteve për kreditorët e ndërmarrjeve shoqerore në likuidim: Fabrika e Baterive, Sillos dhe Ballkan në shumën prej 1,496,135.45 euro.

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u njoftua që 17 raportet përfundimtare të ndërmarrjeve në likuidim do të dërgohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe pas vendimit të saj likuidimi i atyre ndërmarrjeve do të marrë fund.

Bordi poashtu aprovoi raportin me gjithsejtë 14 raste të komisionit për shitjen e banesave në pronësi shoqërore.

Agjencia do të njoftojë me kohë palët për vendimet e marra nga Bordi, i cili mbledhjen e radhës do ta mbajë në 30 gusht 2018.

Në 31 maj 2018 në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës deputetët votuan dhe përkrahën propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e 6 anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili më pastaj mbajti mbledhjene parë në përbërjen e re dhe vijon me punët që e presin.

Në 30 mars 2018, një Ligj i vlerësuar i rëndësishëm – ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit kaloi me shumicë votash pas shqyrtimit të dytë në Kuvendin e Kosovës dhe miratimit në parim në 26 janar 2018. /b.j/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.