Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Përballë” në Televizionin Publik Shqiptar theksoi se hapja e procesit të skanimit është një arritje e madhe, pasi sipas tij edhe nëse negociatat do të ishin hapur, procesi i “Screening” do të bëhej.

“Së pari, besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik, që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik, që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje. Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon, sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht, ne do të bënim skanimin”, – theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh i bindur se pas 12 muajsh pune intensive në përmbushjen e objektivave të vendosura nga Brukseli, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë.

“Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto. Serbia e ka marrë hapjen formale dhe i janë dashur më shumë se një vit për t’i hapur ato de facto, sepse procesi i skanimit është një proces goxha kompleks. Ne kemi 12 muaj që i kemi fituar dhe nuk i kemi humbur dhe çka do të ndodhë në qershor do të jetë përsëri një rezultat i asaj që ne do të kemi bërë dhe patjetër, nuk e diskutoj fare, që do të jetë me rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe asaj që do të jetë situata brenda vendeve anëtare. Megjithatë duke patur parasysh që do të jemi në momentin, kur do të kemi të njëjtin Komision dhe vendet anëtare do të kenë kaluar zgjedhjet për në Parlamentin Europian, që ishin arsyeja kryesore e rezervës së Francës, në radhë të parë, nuk kemi arsye pse të dyshojmë seriozisht në një rezultat pozitiv”, – u shpreh Rama.

I pyetur për vendet skeptike si Danimarka, Franca dhe Holanda, nëse nuk do të jenë më të tilla pas 12 muajsh, Kryeministri theksoi se nga kompromisi i arritur mbeti i kënaqur, pasi sipas tij procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo Europë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar Shqipërinë europiane.

“Qoftë Franca, qoftë Holanda, sepse Danimarka ishte si të thuash një vend që u shfaq në krah të tyre vetëm në momentet e fundit, nuk është se e kishin me Shqipërinë. Ishin në një pozicion që ishte vijimësi e natyrshme e pozicionit të tyre në raport me Europën dhe në kontekstin e brendshëm si pozicion më i përshtatshëm. Procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo në Europë, procesi është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar këtu Shqipërinë europiane dhe në këtë aspekt, procesi nuk ka ndalim, procesi ka vazhduar me skanimin që, siç e thashë, është faza që pason çeljen formale të negociatave dhe kjo më ka bërë, na ka bërë, që të jemi të kënaqur me rezultatin”, – theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur te plotësimi i prioriteteve të vendosura nga BE si, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, reforma zgjedhore si dhe reforma në drejtësi Kryeministri Rama theksoi se përmbushja e këtyre objektivave janë prioritet i qeverisë shqiptare.

“E para, të kemi të qartë se këto fraza do të na shoqërojnë deri kur të bëhemi anëtarë, madje këto fraza janë fraza që po shoqërojnë jetën politike të Rumanisë apo të Bullgarisë edhe sot që janë anëtarë, të jemi të qartë.

E dyta, nga pikëpamja e objektivave konkretë që ka brenda në ato fraza, ne sigurisht që do t’i bëjmë, sepse janë gjëra që do t’i bënim si me negociata, si pa negociata. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është detyrim i një procesi që ka filluar dhe që po ecën sipas parashikimeve. Thellimi i luftës ndaj korrupsionit është një proces që ka filluar dhe po ecën sipas parashikimeve, se këtu flasim për luftë ndaj korrupsionit dhe flasim për peshq të mëdhenj, po a ka diskutim që gjithë këto gjykatës dhe prokurorë që po shfaqen si “peshkaqenë” në të gjithë dimensionet e veta duke u përzënë nga pallati i drejtësisë janë pjesë e një lufte të përshkallëzuar kundër korrupsionit? Nuk mund të ketë diskutim. Sigurisht që këta kanë qenë figura në një pushtet në hije, edhe pse hija ka qenë shumë e rëndë në shpatullat e gjithkujt që ka patur punë me gjykatat, por nga pikëpamja e influencës së këtij pushteti, nga pikëpamja e korrupsionit të këtij pushteti, ky është pushteti më i korruptuar në Shqipëri. Nuk diskutohet fare. Kështu që është një proces që është kompleks”, përfundoi Kryeministri Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.