HAPËSIRË – Marsi nuk ka qenë asnjëherë kaq pranë Tokës prej 15 vitesh!

PARIS, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Toka dhe Marsi nuk kanë qenë kurrë kaq afër prej 15 vitesh, duke i dhuruar kureshtarëve të hapësirës pamje të jashtëzakonshme dhe plotë dritë nga planeti i kuq.

Astronomët e të gjithë botës kanë drejtuar teleskopët e tyre në drejtim të qiellit, sot, më 31 korrik Marsi është në një distancë prej 57,6 milionë kilometrash larg planetit tonë.

“Planeti i kuq dhe Toka nuk kanë qenë kaq pranë që prej vitit 2003 dhe nuk do të jenë para vitit 2035”, njoftoi NASA.

Pika më e afërt e Tokës me orbitën eliptike të Marsit ishte sot në orën 11:00 GMT (13:00 me orën në Shqipëri), theksoi agjencia hapësinore amerikane.

Astronomët interesohen për lëvizjen e planetit të kuq në mënyrë që të përcaktojnë sa më mirë periudhat për lëshimin e pajisjeve të tyre hapësinore.

Kur Dielli, Toka dhe Marsi janë në një vijë, me planetin tonë në mes, ndodh një fenomen që quhet “kundërvënie”, duke dhënë pamjen më të qartë të Marsit.

“Gjatë periudhës së kundërvënies, një planet është në distancën më të afërt me Tokën në një vit të caktuar”, shpjegon NASA.

Por rekordi i distancës më të afërt nuk u arrit as këtë vit. Distanca minimale mes Tokës dhe Marsit ka qenë rreth 54,6 milionë kilometra dhe shumë rrallë arrihet.

“Në vitin 2003 Marsi ishte vetëm 55,7 milionë kilometra larg Tokës, ose distanca më e afërt që është arritur në 60 000 vite”, sipas NASA-s.

Herën tjetër që Marsi do të jetë kaq afër me Tokën, si në vitin 2003, do të jetë vetëm në vitin 2287.

Të gjithë ata që nuk do të kenë mundësinë ta shohin sot Marsin, të mos shqetësohen, planeti do të jetë i dukshëm në qiell edhe në muajt në vijim. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.