Falë partneritetit publik-privat, “Rruga e Arbrit” realitet brenda 3 vitesh

TIRANE, 31 korrik/ATSH/- “Çështja e partneritetit publik-privat po stigmatizohet, por për informacion, PPP nuk është shpikur në Shqipëri, por është instrument i cili përdoret pa asnjë përjashtim në të gjitha vendet e botës sikurse edhe në rajon dhe Europë”, – deklaroi sot ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Në reagim edhe deklaratave lidhur me këtë çështje, Ahmetaj solli si shembull koncesionin me “Rrugën e Arbrit”.

“’Rruga e Arbrit’ me mundësitë që ka buxheti sot, nuk është e mundur të ndërtohet. Që do të thotë që nëse do t’i lëmë qytetarët e Dibrës, dhe të gjithë Shqipërisë të presin deri kur buxheti i shtetit të bëhet gati, do të duhen 15 deri në 20 vjet. Atëherë çfarë bën qeveria? Qeveria vendosë që të thërrasë si partnerë aktorët privatë, në mënyrë që rrugët që qytetarët e Dibrës do ta kishin vetëm pas 15 vitesh apo 20 vitesh, ta bëjmë të mundur që qytetarët ta kenë rrugën brenda 3 vitesh dhe ndërkohë buxheti i shtetit të paguajë për 10 e 13 vite në vazhdim”, – sqaroi ministri.

Ahmetaj shtoi se “ky është thelbi i një koncesioni, që kur shikoni se kur del një politikan apo pseudoprofesionist kur flet për PPP, koncepti i PPP është ky: pra në ndërtimin e rrugëve ka një infrastrukturë që është e domosdoshme për vendin nuk e bën dot me burimet e buxhetit, fton privatin që ta bëjë dhe afrojmë rrugën nga 20 vite që do ishte e mundur, e kthejmë të mundshme në 1 apo 2 vite menjëherë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.