Denoncimi i mësuesit nga Pogradeci për abuzimet e drejtoreshës së shkollës

TIRANË, 31 Korrik /ATSH/ -Jorgo Spirollari, mësuesi i shkollës “Muharrem Çollaku” në Pogradec, iu drejtua Platformës së bashkëqeverisjes, pasi në shkollën ku ai punonte konstatoi se kishte shkelje teksa nxënësve iu kërkohej që të paguanin për shërbime që shkolla duhet ti ofronte falas, për regjistrimin, për dëftesën, për vërtetim notash etj.

Pas denoncimit në platformën “shqiperiaqeduam.al”, Ministria e Arsimit e hetoi rastin dhe largimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtoreshës së shkollës si dhe nisi procedim disiplinor për Nën/drejtoreshën e shkollës dhe përgjegjësin e Drejtorisë Arsimore Pogradec.

Duke prezantuar rastin, Kryeministri u shpreh se ky rast e ka zanafillën tek një mesazh që mori në një nga takimet e fushatës së llogaridhënies, ku u takua me djalin e mësuesit, i cili i shprehu një shqetësim të madh për faktin që i ati kishte mbajtur një qëndrim objektiv dhe kritik ndaj drejtores së shkollës dhe rrezikonte të humbte vendin e punës prej reagimit të drejtores së shkollës.

Më pas, u shpreh kryeministri, “i kërkova djalit që të më çojë të gjithën të argumentuar bashkë me kontaktet dhe njëkohësisht që t’i drejtohej platformës dhe ishte rast për mua për të parë se me çfarë efikasiteti bëhej. Platforma është një instrument që zhvillohet sipas nevojës së çdo qytetari. Që pas momentit të bërjes së ankesës ndiqet i gjithë procesi. Dhe shihet se kush çedon në proces”.

Mësuesi Jorgo Spirollari, falenderoi Kryeministrin që i ka hapur një dritare të gjithë shoqërisë shqiptare.

Ky tha kryeministri më pas, “është një rast për thirrje për të gjithë mësuesit, të cilët sot kanë siguri në punë. Ka mbaruar historia e flakjes në rrugë për arsye politike. Sot ka një portal që rekruton mësuesit. Rekrutimi është dixhitalizuar dhe procesi është dxhitalizuar”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.