Mbrojtësi Hrkac firmos në Arabi, “Teuta” gati padinë në FIFA

TIRANË, 30 Korrik /ATSH/ – Skuadra e “Teutës” së Durrësit pritet të padisë në FIFA futbollistin nga Bosnjë Hercegovina, Ante Hrkac, i cili është shfaqur duke firmosur kontratë me skuadrën nga Arabia Saudite, “Al-Qaisumah”.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar në “Facebook”, klubi durrsak bën të ditur se Hrkac është në kontratë me “Teutën” edhe për këtë sezon dhe mund të shkëpusë marrëdhëniet vetëm nëse paguan dëmshpërblim.

“Ante Hrkac figuron ende si një lojtar i regjistruar te “Teuta” dhe ka një kontratë të vlefshme dhe për këtë sezon. Klubi i “Teutës” për më tepër kërkonte që lojtari të kthehej në këtë periudhë dhe të vihej nën urdhrat e trajnerit Bledi Shkëmbi, ose në rast se kërkonte largimin, të paguante një dëmshpërblim ndaj klubit. Si rrjedhojë, firma e tij me “Al-Qaisumah” në Arabinë Saudite është cilësuar e parregullt nga klubi, i cili sot do të fillojë procedurat për bllokimin e transferimit të futbollistit, duke iu drejtuar FIFA-s për të mos lejuar kalimin e kartonit ndërkombëtar nëpërmjet sistemit TMS”, shkruan klubi durrsak në reagimin zyrtar në ‘Facebook’.

/gj.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.