Matura shtetërore, nis plotësimi i formularit A2

TIRANË, 30 korrik/ATSH/-Sot rreth 25 mijë maturantë në mbarë vendin kanë nisur plotësimin e formularit A2, duke filluar kështu aplikimet për universitete për vitin e ri akademik 2018-2019.

Formulari A2 plotësohet në portalin “u-Albania”, i cili është portal i unifikuar për aplikimin universitar dhe ka filluar të funksionojë që pas përfundimit të maturës e deri në përfundim të procesit të regjistrimit. Risi është që të gjithë maturantët këtë vit mund ta bëjnë aplikimin pa kalendar, pra nga data 30 korrik deri në 4 gusht (6 ditë) ata kanë të drejtë të aplikojnë për degët e preferuara të studimit që dëshirojnë të ndjekin në sistemin e arsimit të lartë. Nuk ka një kalendar sipas rretheve, pra kanë të gjithë kohën e mjaftueshme për të plotësuar A2-in e “u-Albania” është i aksesueshëm në çdo kohë.

Si bëhet aplikimi online?

Në portal është një ikonë e veçantë që tregon për plotësimin e formularit A2 dhe A3 (që është për ata që do të aplikojnë në vjeshtë). Të gjithë maturantët që do të plotësojnë A2 do të logohen fillimisht te ikona “Aplikimi A2/A3”. Pas kësaj, do të shfaqen dy ikona të tjera, një “maturanti” dhe tjetri “për mësuesit”. Pas logimit me ID personale dhe ID e maturës, maturanti hyn brenda portalit dhe aty do të shfaqet “profili im”; “formulari A2” e pas saj statusi i tyre do të jetë aktiv. Pra, studentët që e kanë konfirmuar pranë shkollës mandatin, mund të vijojnë me aplikimin në formularin A2. Formulari A2 është një formular që mund të plotësohet vetëm ‘online’, ka 3 kolona dhe nuk ka asnjë pagesë për të. Pasi shfaqen 3 kolonat, maturantët do të vërejnë se njëra prej tyre tregon të gjitha universitetet që kanë të drejtë të zgjedhin; e dyta tregon degët e studimit, ndërsa kolona e tretë tregon “fshi”./z.t/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.