Markimi i produkteve tradicionale rrit të ardhurat për fshatin

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ – Markimi i produkteve tipike tradicionale është një nga mundësitë më të mira për të zhvilluar zonat rurale. Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, gjatë një aktiviteti që organizoi sot në Tiranë  me operatorë të ndryshëm të produkteve tipike, ku ishte e pranishme edhe Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin.
Sipas kreut të Bujqësisë, tashmë po shihen me prioritet këto prodhime përmes lehtësive fiskale, mbështetjes me grante si dhe brendimit të dyqaneve që tregtojnë prodhime autentike të zonave të ndryshme.
“Për ta diversifikuar ekonominë rurale dhe për t’u kthyer në thelbin e këtij takimi, në produktet tipike, ne mendojmë se shtimi i prodhimeve tipike, marketimi i tyre siç duhet është një mundësi e artë për të shtuar të ardhurat e fshatit”, – tha Peleshi.
Ndërsa ambasadorja Vlahutin vuri theksin në markimin e prodhimeve tipike, si mundësia që do të hapë tregjet e shitjes dhe do të përmirësojë ekonominë rurale.
“Ne duhet të marketojmë dhe të brendojmë produktet nga malet dhe mbi të gjitha, që t’i ndihmojmë të gjejnë treg për t’i shitur. Jam e lumtur që po stimulojmë qoftë edhe pak këtë aspekt të shoqërisë shqiptare. Shpresojmë që ndihma jonë t’u shërbejë sidomos grave që punojnë në zonat veriore”, – tha Vlahutin.
Për produktet tradicionale të Veriut, në këtë konkurs u përzgjodh logoja “Zemra e Malit”. Ky mekanizëm synon që të bëjë të dukshëm origjinën malore të produkteve. e.xh/r.e//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.