Kreditimi i bujqësisë kaloi vlerën e 1 miliard lekëve 

TIRANË, 30 korrik /ATSH/- Kreditimi i bujqësisë në muajin qershor 2018 shënoi vlerën e një miliard lekëve, duke regjistruar një rekord për sa i takon totalit mujor të kredisë në këtë sektor.
Sipas të dhënave zyrtare, vlera e portofolit të kredisë për bujqësinë është rreth 5.5 miliardë lekë ose rreth 1.7% e totalit të kredisë për biznesin. Bujqësia është sektori më i nënkredituar i ekonomisë shqiptare, po të kemi parasysh kontributin që jep ky sektor në ekonominë e vendit dhe punësimin.
Qeveria po ndërmerr vitet e fundit iniciativa për rritjen e financimit të këtij sektori që gjeneron rritje të prodhimit vendas. Ndër më të rëndësishmet ishte bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët. Përmes një fondi garancie 75 milionë euro, fermerëve u është krijuar aksesi për të marrë kredi nga bankat tregtare. Ndërsa po vijojnë skemat e subvencionimit dhe programet e ndryshme me financim edhe nga donatorët, të cilat po injektojnë financim të vazhdueshëm në këtë sektor. Sipas ekspertëve rritja e ndjeshme e kredisë së re gjatë muajit qershor, me vlera shumë më të larta në raport me mesataren mujore të këtij sektori, është një sinjal pozitiv i trendit të rritjes ku po hyn bujqësia sot. e.xh/r.e//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.