Juventus gati rinovimi me boshnjakun Pjanic, 7 milionë euro në sezon

TIRANË, 30 Korrik /ATSH/ -Juventusi ka gati rinovimin e kontratës për Miralem Pjanic. Për futbollistin boshnjak bardhezinjtë nuk kanë marrë ofertë zyrtare që t’i afrohet 100 milionë eurove, shifër kjo që do t’i bënte Marottan dhe Paraticin që të mendoheshin mirë. Gjithsesi, për t’u dhënë fund zërave në merkato, “Zonja e Vjetër” ka vendosur t’ia rritë ndjeshëm pagën 28-vjeçarit, duke e shndërruar ndër më të paguarit te klubi torinez, sigurisht pas Ronaldos, Dybalas dhe Higuainit (nëse ky i fundit nuk largohet nga Juvja). Në bazë të marrëveshjes së re, Pjanic do të përfitojë 7 milionë euro në sezon.

Kjo do të ishte mënyrë më e mirë për të vlerësuar paraqitjen e tij në sezonin e fundit, por edhe për t’i dhënë fund tundimit të tij për t’u larguar.

Shumë pak skuadra mund të kenë në përbërje lojtari klasi si Pjanic. Mesfushori ndihet mirë në Torino dhe nuk e mendon me çdo kusht largimin. Përkundrazi, afrimi i Cristiano Ronaldos ka bërë që të kuptojë se ky mund të jetë sezoni i duhur për të fituar Championsin.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.