FUTBOLL – Tuchel: Vendi i Cavanit është te ‘’PSG’’

PARIS, 30 korrik /ATSH-AFP/ – Trajneri i ri i ‘’PSG’’ Thomas Tuchel u shpreh sot se as që bëhet fjalë që Edinson Cavani të largohet nga ekipi, në përgjigje të informacioneve që po qarkullojnë në mediat spanjolle për një interesim të ‘’Real Madrid’’ për lojtarin uruguajan.

Tekniku gjerman është gjendur i papërgatitur ndërsa është pyetur në lidhje me këto zëra, gjatë një konference shtypi pas fitores së parizienëve 3-2 përballë “Atletikos të Madridit” në një ndeshje miqësore në Singapor.

Qëndrimi i numrit 9 në Paris është dëshira ime më e madhe dhe nuk kam dëgjuar asgjë për një largim të mundshëm të Edit, pohoi Thomas Tuchel.

Përpara disa ditësh bisedova me Edinson, nuk më përmendi asgjë. Ai pohoi se mezi priste të rikthehej, për t’u bashkuar me ne për të përmbushur të gjithë objektivat e tij me ekipin tonë.

Ai është një lojtar kyç për ne dhe as që diskutohet ta lë të ikë.

Sipas disa mediave spanjolle, megjithëse informacionet nuk janë të konfirmuara, Reali i Madridit kërkon zëvendësimin e Kristiano Ronaldos me Edinson Cavani, i cili iu bashkua “Juventusit” të Torinos për 100 milionë euro.

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.