Të dehur dhe me shpejtësi deri në 167 km/h, në pranga 6 shoferë

TIRANË, 28 Korrik/ATSH-A.Fortuzi/-Policia njofton se ka vendosur në pranga 6 drejtues mjetesh, pasi janë kapur me shpejtësi tej normave të lejuara, që arrinin deri në 167 km/h. Gjithashtu janë pezulluar leje drejtimi dhe janë vendosur disa gjoba.

Krahas sigurimit dhe masave për mbarëvajtjen e koncertit që zhvillohej në Sheshin Skënderbej, Policia Rrugore e Tiranës, në përfundim të eventit ndoqi me prioritet detyrat e caktuara në Planin Operacional Tispol Korrik 2018, me objekt kryesor testimin e drejtuesve të mjeteve për nivelin e alkoolit, ku nga kontrollet e ushtruara në disa rrugë të ndryshme të qytetit, janë arrestuar 6 persona për tejkalim shpejtësie dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.

“6 drejtues mjetesh janë arrestuar në kushtet e flagrancës për drejtim mjeti në gjendje të dehur në nivele që variojnë nga 0.53 mg/l deri në 1.07 mg/l Janë pezulluar 15 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara që varionte deri në 167 km/h. Janë pezulluar 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Janë ndaluar administrativisht 16 mjete për detyrime administrative të pashlyera.

Janë ndëshkuar 5 automjete për mosrespektim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara si dhe janë vendosur një numër i konsiderueshëm masash administrative për kundravajtje të ndryshme”, njofton Policia. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.