Qeveria prioritet investimet publike dhe mbështetje familjeve në nevojë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ – Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2018, që parashikon nxitjen e mëtejshme të realizimit të investimeve publike, rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve përmes rialokimeve dhe shtesave në favor të projekteve me ecuri më të mirë dhe akomodimin e paketës së solidaritetit për pensionistët dhe familjet në nevojë që avancohet në fundvit.

Në një njoftim për shtyp Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bën të ditur se, treguesit makroekonomikë dhe performanca e ekonomisë gjatë 6-mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2018, tejet e rëndësishme kjo për konsolidimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit.

Konkretisht: Niveli i deficitit të përgjithshëm fiskal mbetet i pandryshuar në nivelin prej 2% të PBB, sikurse ishte programuar në ligjin fillestar të buxhetit; balanca primare pozitive mbahet e pandryshuar (pra me suficit), ekzaktësisht sa niveli i programuar në ligjin fillestar të buxhetit; garantohet pozicioni pozitiv dhe i lartë i balancës korente fiskale ose siç njihet ndryshe ”rregulli i artë” në nivelin e prej 3.3% të PBB, madje me një përmirësim të lehtë edhe nga buxheti fillestar, si rrjedhojë e investimeve më të larta dhe mbajtjes konstant të deficitit.

Ndryshimet e realizuara me Aktin Normativ janë:

– Akomodimi i një bonusi vjetor shtesë për pensionistët me një vlerë totale në buxhet prej 3 miliardë lekë (rreth 30 milionë dollarë).

– Realizon ri-alokime në investimet publike, të cilat do të rrisin eficencën e ekzekutimit të tyre.

– Përveç ri-alokimive midis zërave të ndryshëm të investimeve publike, në total mundësohet edhe një rritje e tyre krahasuar me buxhetin fillestar prej rreth 300 milionë lekë (ose rreth 3 milionë dollarë). Investimet publike totale të qeverisë qendrore në këtë akt, arrijnë tashmë në nivelin e 86.7 miliardë lekë (rreth 860 milionë dollarë) duke arritur nivelin e 5.3% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), nga 5.2% që ishte programuar në ligjin fillestar të buxhetit.

– Sistemi i energjisë elektrike merr një pjesë kryesore të shtesës së investimeve publike me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të sistemit. Por njëkohësisht, situata financiare e koorporatava energjetike e përmirësuar ndjeshëm së fundmi, do të mundësojë në këtë vit kthimin e një pjese të huasë së marrë vitet e mëparshme nga buxheti i shtetit, e reflektuar në vlerën prej 1 miliard lekë (rreth 10 milionë dollarë) në akt.

Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, Akti Normativ, bazuar nenin 101 të Kushtetutës do të dërgohet në Parlament për fillimin e procedurave parlamentare që e kthejnë atë në ligj brenda afatit kohor të përcaktuar prej 45 ditësh, citon njoftimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.