Projekti i Teatrit të ri nuk i shërben artistëve, por ndërtimit të kullave

TIRANË, 27 Korrik /ATSH/ -Projekti i Teatrit të ri nuk i shërben artistëve, por ndërtimit të kullave të reja në Tiranë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët u shpreh se, qeveria nuk ka vullnet për një teatër të ri.

Basha tha se, Rama ka manipuluar artistët për deklaratat e tyre ndërsa theksoi se vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që ta ndalë ligjin special për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa lidhur me peticionin e disa artistëve drejtuar Presidentit për dekretimin e ligjit, Basha u shpreh se ndjeu neveri.

“Mashtrimi që iu është bërë artistëve për teatrin e ri është mashtrim total, pasi afera ka të bëjë me ndërtimin e kullave. Në këto 5 vite Edi Rama ka shpenzuar për perde dhe për kolltuqe, sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtare. Pasi këto i ka shpenzuar për gjërat e luksit”, tha Basha.

Basha u shpreh se ka shumë alternativa për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar dhe njëra prej tyre është edhe tek Piramida.

“Mundësitë ekzistojnë. Siç është edhe piramida, që është jashtë funksionit. Teatri nuk ndërtohet duke shkatërruar një pjesë të Tiranës. Kur lexova të ashtuquajturin peticion ndjeva neveri që Rama ia ka dalë të mashtroj artistët. Tirana tashmë quhet Ti-Rama”, tha Basha.

“Rama nuk ka si projekt teatrin e ri, por kullat dhe kush nuk arrin ta kuptojë këtë instrumentalizohet. Artistët janë mashtruar prej dëshirës së tyre për të pasur kushte dinjitoze pune”, tha Basha.

Kreu i PD tha se, opozita ka një alternativë për artin dhe kulturën në vend.

“Ne kemi një alternativë, që përbëhet në dy shtylla kryesore. E para një plan që financimi për artin dhe kulturën të jetë në nivelin e rajonit dhe së dyti që menaxhimi i këtyre fondeve të bëhet nga struktura të depolitizuara të përbëra nga artistët. Në raste të veçanta financimet do të jenë edhe më lart se Rajoni”, theksoi Basha.

Basha tha se nëse presidenti Ilir Meta e miraton ligjin, atëherë kjo konsiderohet si pjesëmarrje në grusht shteti. Kryedemokrati paralajmëroi se nëse shkelen vijat e kuqe vendi do shkojë në gjendje të një lufte civile.

“Do ndjekim të gjitha hapat, por shkelja e parimeve ligjorë është kaq evidente saqë dekretimi i ligjit nuk është gjë tjetër vetëm pjesëmarrje në grusht shteti. E kam fjalën për çdo instancë që bëhet pjesë e kthimit të parlamentit në një Rajshtag të stilit hitlerian e merr pushtete që nuk ia jep Kushtetuta. Nëse kjo vijë e kuqe shkelet ne jemi de fakto në gjendje lufte civile”, tha Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.