Ligji i Magjistraturës, Basha: Të zbatohen 7 pikat e opozitës

89

TIRANË, 27 Korrik /ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët u shpreh i vendosur lidhur me qëndrimin që do të mbajë PD për ligjin e Magjistraturës, i cili kërkon 84 vota pro, duke theksuar se opozita ka paraqitur 7 pikat e saj që duhet të zbatohen.

Basha tha se, PD i qëndron këtyre 7 pikave, në të kundërt sipas tij nuk ka konsensus.

Basha refuzoi kërkesën e mazhorancës për votimin e ligjit për Shkollën e Magjistraturës. Sipas tij, kjo kërkesë është një propozim qesharak, me të cilin kërkohet që ne të shkruajmë me duart tona, shkeljen e Kushtetutës prej tyre.

Për Bashën, zgjidhja më e mirë është kthimi te organet kushtetuese të drejtësisë, sipas tij të kapur prej Ramës për të shpëtuar të afërmit dhe veten e tyre nga burgu.

“Ata na ftojnë ne, që atë që bëjnë me duart e tyre, shkeljen e Kushtetutës, ta bëjnë me duart tona. Ata kanë një propozim me shtatë pika për kapërcimin e krizës së reformës në drejtësi. Por nuk e pranojnë sepse duan të shpëtojnë të afërmit dhe veten e tyre nga burgu me kapjen e drejtësisë. Në vend t’i përgjigjeshin ftesës sonë, vijnë me një propozim qesharak, sipas të cilit, mënyrën për të shkelur Kushtetutën, mos ta shkruajnë ata, por ne. Propozimi ynë është kthimi te institucionet e drejtësisë”, u shpreh Basha.

“Ata kanë 7 pika që trajton këto kriza. Nëse PS ka me të vërtetë vullnetin që t’i japë fund kapjes në drejtësisë, i ka propozimet tona. Ne jemi pro që t’i jepet jetë 7 propozimeve tona. Ne kërkojmë që mos të kemi prokurori të përkohshëm. Tani s’ka mirëkuptim. Ata s’kanë ndërmend që të zbatojnë reformën në drejtësi”, tha Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.