Ceremonia shtetërore për varrimin e Adem Demaçit

PRISHTINE, 27 korrik /ATSH/ -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që Adem Demaçi të varroset me ceremonitë më të larta shtetërore dhe ka emëruar Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit. Me vendim të presidentit Thaçi, nga mesnata, me të filluar dita e premte, dita e parë e zisë, flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore.

Të premten, në orën 09:00, arkivoli me trupin e “Mandelës së Kosovës”, Adem Demaçit, do të sillet në Kuvendin e Kosovës, ku në orën 11:00 do të mbahet edhe Mbledhja Komemorative dhe do të ketë fjalime.

Në orën 12:00 do të fillojnë homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës, të cilat do të përfundojnë në orën 20:00.Me vendim të Këshillit Organizativ, i cili përbëhet nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli, nënkryetarët Xhavit Haliti, Aida Dërguti, Kujtim Shala, si dhe nga Glauk Konjufca e Ahmet Isufi, varrimi i Adem Demaçit do të bëhet ditën e shtunë, më 28 korrik, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë.

Të shtunën, në orën 09:00, Garda e Nderit do ta sjellë arkivolin në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku menjëherë nga ora 09:00 do të fillojë edhe Ceremonia Komemorative. Në ceremoni do të mbajnë fjalë rasti liderët e institucioneve të Kosovës dhe ata që janë të pranishëm nga rajoni.

Në orën 11:00, kortezhi i përmortshëm do të niset nga salla “1 Tetori” dhe prej aty do të lëvizë nëpër rrugët “Bill Clinton”, “Xhorxh Bush”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi “Nëna Terezë”, sheshi “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Rrustem Statovci”, rruga “Isa Kastrati” deri tek Varrezat e Dëshmorëve, ku do të varroset kolosi Adem Demaçi. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.