Tre sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në SME

142

TIRANË, 26 korrik /ATSH/- Ritja e punësimit, mirëqenies dhe jetës sociale, përkthehet në  zhvillim ekonomik të çdo vendi.

Në këtë kontekst, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME-të) kanë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe ndihmojnë në zhvillimin e vendit

Tre janë sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) në vendin tonë.

Tregtia, që mbizotëron me 24.5% të tregut, i ndjekur nga sektori shërbime me 16% dhe industria përpunuese me 14.2% .

Për vetë rolin dhe kontributin që luan ky sektor në ekonominë e vendit, një nga prioritet e qeverisë është hartimi i politikave për zhvillimin dhe fuqizimin e SME-ve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre përmes ideve inovative.

I tillë është edhe projekti “IDEA-Skema të granteve në mbështetje të sipërmarrjeve të reja” që u prezantua sot në Tiranë, si një mundësi më shumë në zhvillimin e vendeve të reja të punës përmes ideve inovative.

Ekspertët shprehen se, një nga elementët e zhvillimit ekonomik është lulëzimi i sipërmarrjeve me veprimtari ekonomike financiarisht të qëndrueshme, siç janë SME-të. Këto lloj sipërmarrjes konsiderohen si sipërmarrje tradicionale, pasi ofrojnë produkte ose shërbime të nevojshme për konsumatorin, nga njëra anë dhe duke siguruar fitime për sipërmarrësin, nga ana tjetër. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.