“Molde” tepër e fuqishme për “Laçin”, e mposht 3-0

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ – Norvegjezët e “Moldes” kanë zbehur shpresat e kurbinasve të “Laçit” për të shkuar më larg në kompeticionin e “Europa League”, pasi këta të fundit u mposhtën me rezultatin 3-0.

Të besuarit e Besnik Prengës nuk arritën t’i bënin ballë sulmeve të “Moldes”, të cilët shënuan që në minutën e 5-të, pas një 11-metërshi që shkaktoi Sefgjini, që u kthye në gol.

Ekipi i “Moldes” shënoi edhe golin e dytë në minutën e 24 me anë të Hestad. Skuadra e drejtuar nga ish-sulmuesi i “Manchester United” Solskjaer e administroi shumë mirë avantazhin, duke krijuar edhe raste të tjera për shënim në pjesën e parë.

“Laçi” nuk kishte forcë për të reaguar në pjesën e dytë dhe në minutën e 79-të nigeriani James, i ardhur në fushë nga stoli vetëm 5 minuta më parë realizoi edhe golin e 3-të për “Molden” duke shuar edhe ato fare pak shpresa që mund të kishte “Laçi” për të tentuar kualifikimin. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.