Miratohet vendimi për krijimin dhe funksionimin e qendrave kulturore të diasporës

326

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ – Këshilli i ministrave miratoi sot vendimin që lidhet me krijimin, organizimin dhe funksionimin e qendrave kulturore për diasporën (QKD).

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 5 e 6, të nenit 6, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të vendimit nr.58, datë 31.1.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për qendrat kulturore në diasporë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e qendrave kulturore për diasporën, në varësi të kreut të misionit diplomatik të akredituar në vendin pritës.

Do të jetë Agjencia Kombëtare për Diasporën që do të bëjë mbikqyrjen dhe koordinimin e këtyre qendrave ndërsa këto të fundit kanë si mision kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës.

Por, si do të funksionojnë këto qendra?

QKD-të do të promovojnë Shqipërinë në ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Republikës së Shqipërisë ndërkohë që do të nxisin dhe zhvillojnë njohuri për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Qendrat do të nxisin bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv e ekonomik, artistik dhe kulturor, ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës si dhe do të organizojnë të rinjtë dhe grupmoshat e ndryshme të diasporës me aktivitete të ndryshme.

Ndërkaq, struktura dhe organika e QKD-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit përgjegjës për diasporën ndërsa financimi do të bëhet nga buxheti i miratuar për përfaqësinë diplomatike.

Misionet diplomatike ku do të ushtrojnë aktivitetin e tyre QKD-të, funksionet që do të kryejnë, raportet me kreun e misionit si edhe çështje të tjera të veprimtarisë së tyre rregullohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për punët e jashtme dhe të ministrit përgjegjës për diasporën.

Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të qendrave, miratohet me urdhër të kreut të misionit diplomatik. Në krye të qendrës do të jetë titullari, që do të administrojë dhe drejtojë veprimtarinë e përditshme të saj dhe përfaqësimin në marrëdhëniet me të tretët. Për veprimtarinë e tij administrative, titullari do të përgjigjet para kreut të misionit diplomatik dhe ministrit përgjegjës për diasporën. Për çështjet që kërkojnë vendimmarrje politike, titullari i QKD-së duhet të marrë mendimin e kreut të misionit.

Titullari emërohet dhe lirohet me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme, me propozimin e ministrit përgjegjës për diasporën, në përputhje me pikën 2, të nenit 31, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”.

Titullarët e QKD-ve, të emëruar në misionet diplomatike, pajisen me pasaportë diplomatike dhe gëzojnë të njëjtin status me diplomatët gjatë periudhës që janë të emëruar në këto misione. Ata marrin gradë diplomatike, në varësi të strukturës së misionit diplomatik, dhe trajtohen financiarisht me pagën, shtesat mbi pagë dhe kompensimin për koston e jetesës sipas gradës së emërimit në misionin diplomatik në vendin ku shërbejnë. Po kështu, edhe anëtarët e familjes së titullarëve pajisen me pasaporta diplomatike dhe gëzojnë të njëjtin trajtim me familjet e anëtarëve të diplomatëve.

Nëpunësit e QKD-ve do të punojnë me kohë të plotë, por nuk do të jenë të akredituar në shtetin pritës. Ata emërohen nga ministri përgjegjës për diasporën, me propozim të kreut të misionit diplomatik.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, ministri i Shtetit për Diasporën, Agjencia Kombëtare për Diasporën dhe Qendrat Kulturore për Diasporën. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.