Manastirliu: Të sëmurët mendorë që kanë kryer vepër penale, trajtim në institucion të posaçëm

259

TIRANË,26 korrik /ATSH/ – “Trajtimi i personave me nevoja të veçanta të shëndetit mendor që janë të privuar nga liria për shkak se kanë kryer një vepër penale do të trajtohen në një institucion të posaçëm që do të përshtatet në kushtet e një spitali, me personel të kualifikuar, me qëllim trajtimin dhe rehabilitimin e tyre”.

Deklarata u bë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në tryezën e organizuar në kuadër të masave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor që vuajnë dënimin për vepra penale.

Duke theksuar masat e ndërmarrë nëpërmjet një plani tranzitor, në përmbushje të rekomandimeve Komitetit Evropian Kundër Torturës (CPT), Avokatit të Popullit dhe mbi të gjitha, për trajtimin me dinjitet dhe në kushte sa më optimale të këtyre personave, Manastirliu deklaroi se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, është bërë një hap përpara në drejtim të respektimit të të drejtave të personave që vuajnë mungesën e lirisë dhe njëherësh trajtohen për sëmundje mendore.

“Transformimi i institucionit të vuajtjes së dënimit në Lezhë në një institucion me orientim jo më për vuajtjen e dënimit por më së shumti spitalor, do ti japë mundësinë 255 të dënuarve me probleme mendore të kenë një trajtim më të denjë, në respekt të të drejtave bazë të njeriut. Përmirësimi i kushteve infrastrukturore dhe përshtatja e godinës së vuajtjes së dënimit në Lezhë, do të shoqërohet me ofrimin e një kujdesi profesional nga një ekip  multidisiplinar i specializuar për shëndetin mendor”, tha Manastirliu.

Sipas Ministres, për herë të parë do të aplikohet masa e bonusit për mjekët psikiatër që punojnë në këto institucione dhe personeli do të jetë pjesë e integruar e sistemit  sistemit shëndetësor. “Do të sigurohet që këta persona të trajtohen si pacientë (jo të dënuar) të cilëve u ofrohet shërbim shëndetësor cilësor”, tha Manastirliu.

Sipas saj, zgjidhja afatgjatë është ngritja e një Institucioni mjekësor të posaçëm për këtë kategori.

“Qeveria shqiptare është maksimalisht e angazhuar për ngritjen e një Institucioni Mjekësor të Posaçëm sipas standardeve ndërkombëtare, duke reflektuar standardet ndërkombëtare në këtë fushë, me synim ofrimin e një kujdesi terapeutik dhe human për këta persona, në respekt të të drejtave të njeriut, nëpërmjet sigurimit të balancës mes kujdesit dhe sigurisë si dhe adresimin e nevojave të veçanta për grupe vulnerabël, si fëmijët, gratë, etj”, u shpreh Ministrja Manastirliu. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.