Kontratat koncesionare, Gjiknuri: Monitorim nga kompani të huaja inxhinierike

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ – Me qëllim monitorimin në terren të kontratave koncesionare, qeveria shqiptare do të kontraktojë kompani të huaja inxhinierike.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri gjatë një interviste televizive theksoi se monitorimi do të rrisë sigurinë për punimet, pasi paralelisht kompania konsulente do të ndjekë punimet në mënyrë të detajuar.

“Në të gjitha kontratat koncesionare ne do të kontraktojmë kompani të huaja inxhinierike, në formën e konsulentit. Do të jenë kompani të njohura për tregun ndërkombëtar të kësaj fushe, të cilat do të certifikojnë volumin e punimeve, si dhe cilësinë e tyre. Që në momentin që nis kontrata dhe nis puna për zbatimin e saj, paralelisht kompania konsulente do të ndjekë hap pas hapi ecurinë. Ne shumë shpejt do të hapim tenderin për të përzgjedhur konsulentin e parë për “Rrugën e Arbrit” dhe këtë do të bëjmë për çdo projekt me PPP”.

Ministri Gjiknuri në fjalën e tij bëri me dije se bizneset që do të marrin përsipër ndërtimin e veprave të tilla dhe që nuk sigurojnë financimet e nevojshme do t’i anulohet kontrata.

“I vetmi problem, apo merak që duhet të kemi është çështja: A do të jenë këto projekte të financueshme? ‘Rruga e Arbrit’ tregoi se u gjet financimi në bankat e brendshme. Por në çdo rast, në momentin që për një afat kohe të caktuar kompania nuk siguron financimin e nevojshëm ne do t’i anulojmë kontratën. Por nga ana tjetër ne kemi vënë edhe garanci për kontratat. Nëse ato nuk zbatohen sipas kushteve të miratuara, ne i mbajmë garancinë që arrin në miliona euro”.

Duke u ndalur te kostot me të cilat po financohen projektet, ministri theksoi se “këto kosto janë reflektim i projekteve të detajuara nga institucionet publike, siç është edhe Instituti i Ndërtimit, ku certifikohen volumet të përkthyera edhe në çmime, që i referohen manualeve fiskale të ndërtimit. Por nga ana tjetër çdo para që shpenzohet, qoftë edhe nga buxheti i shteti, ka interesa të përfshira. Ashtu sikundër Ministria e Financave del në tregun ndërkombëtar dhe merr borxh kundrejt një interesi të caktuar, ashtu edhe ne ndërtojmë rrugë që kanë interesin e parasë të shkrirë në koston e projektit”.

Qeveria ka dhënë deri tani dy projekte për ndërtim rrugësh nëpërmjet programit 1 mld euro, “Rrugën e Arbrit” dhe atë Thumanë – Kashar, kostoja e tyre arrin në 500 milionë euro. Për ministrin kjo skemë e realizimit është më e mira e mundshme në kushtet ekonomike që ndodhet ekonomia shqiptare. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.