KINË – Inspektim kombëtar pas skandalit të vaksinave

PEKIN, 26 korrik /ATSH-AFP/ – Kina urdhëroi një inspektim kombëtar të sektorit të vaksinave, pas skandalit të prodhimeve difektoze të zbuluara në një laborator në verilindje të vendit.

“Ekipe inspektorësh do të vendosen në të gjithë laboratorët për prodhimin e vaksinave të vendit”, njoftoi dje në mbrëmje Administrata Kombëtare e Medikamenteve (ANM).

“Këto ekipe do të inspektojnë gjithë procesin dhe zinxhirin e prodhimit të të gjithë prodhuesve të vaksinave”, theksoi ANM në një komunikatë.

Kjo masë u vendos pas zbulimit në korrik të një procesi të paligjshëm për prodhimin e një vaksine kundër tërbimit në laboratorin farmaceutik, Changchun Changsheng, ku të dhënat ishin falsifikuar dhe parametrat e prodhimit modifikuar.

Skandali shkaktoi polemika në Kinë, ku shumë prindër shfaqën shqetësimin e tyre në rrjetet sociale.

Në mënyrë të pazakontë, në një vend ku informacioni është shumë i kontrolluar, presidenti Xi Jinping u detyrua të reagojë duke dënuar ”praktikat e urryera dhe tronditëse” të kompanisë farmaceutike të inkriminuar./ /ec/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.