Gjakovë, nisin punimet për rregullimin e shtratit të lumit Krena

PRISHTINE, 26 korrik /ATSH/ -Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj së bashku me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot kanë përuruar fillimin e punimeve të rregullimit të shtratit të Lumit Krena, projekt ky i cili ka vlerën financiare afër gjysmë milion euro.

Me këtë rast  ministrja Reshitaj tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prioritet rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes së lumenjve në tërë komunat e Republikës së Kosovë.

Sipas saj, rregullimi i shtratit të lumit Krena do të jetë në dobi të banorëve dhe vet komunës si dhe do të ruajë florën dhe faunën si pasuri e çmuar natyrore.

Para të pranishmëve, Reshitaj vlerësoi se përmes projektit të rregullimit të shtratit të lumit Krena, komuna e  Gjakovës do të përfitojë një shëtitore, që do të jetë një korridor ku do të shërbejë për lëvizje të lirë për qytetarët dhe banorët e kësaj ane.

Reshitaj, tha po ashtu se MMPH-ja përveç lumenjve, ka prioritet edhe shtrirjen dhe instalimin e ujësjellësit në fshatrat e komunës së Gjakovës.

“Jemi duke mbështetur dhe financuar edhe projektin për përfundimin e punimeve të Ujësjellësit për 28 fshatra në Gjakovë, projekt ky që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetareve të komunës tuaj,  prandaj së bashku duhet të kujdesemi të ruajmë pasuritë tona, të ruajmë lumenjtë tanë”, u shpreh Reshitaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini falënderoi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për mbështetje në projektin, duke e vlerësuar si ndër projektet e domosdoshme për komunën dhe qytetarët e saj.

Kryetari Gjini, tha se brenda tri viteve komuna e Gjakovës parasheh të përmbyll rregullimin e lumit Krena duke përfshirë këtu edhe rregullimin e kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza.

“Komuna vitin tjetër do të ndajë edhe më shumë fonde, jam i bindur që edhe prej ministrisë do të ndahen fonde dhe do ta kryejmë edhe një semgent tjetër më të madh se sa sivjet. Diku për tri vjet e kryejmë , janë 2.3 kilometra shëtitore e lumit që nuk është vetëm shëtitore, pasi shëtitore është vetëm për mbi por fundi shëtitores janë kolektorët e ujërave të zeza, për pak vjet nuk do të ketë kanalizim në lumin krena dhe prej një kanali do të shndërrohet në zonë atraktive, të biznesit, zonë turistike, zonë të atraksionit”, tha ai. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.