Emergjencat Civile, ndëshkim ligjor për çdo pakujdesi apo veprim me paramendim

Posted by Olta Xhacka on E enjte, 26 Korrik 2018

TIRANË, 26 korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Në bazën detare të Kepit të Palit (Durrës), Ministria e Mbrojtjes dhe FA organizuan ekspozimin e kapaciteteve për Emergjencat Civile.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në fjalën e saj tha se çdo abuzim që do të evidentohet nga qytetarët me pronën publike do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Jam sot këtu për t’ju ofruar sigurinë se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë në çdo kohë të gatshme për të vepruar. Ato janë të gatshme edhe kur të tjerët janë me pushime. Kjo është detyra që ne kemi marrë përsipër. Ne jemi gjithmonë në garë me kohën dhe nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të dalim fitimtarë në këtë garë”, – tha Xhaçka.

“Emergjencat Civile janë bërë tashmë fronti ynë i luftës. Është një luftë e paparashikueshme, si të gjitha luftërat, një luftë që në çdo moment është e gatshme të marrë jetë njerëzish, të shkatërrojë prona publike dhe private që janë vënë me shumë mund dhe djersë”, – vijoi Xhaçka.

“Por këtë luftë Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura nuk mund ta përballojnë të vetme. Ne, të gjithë së bashku: Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të pushtetit, prefekturat dhe organet e qeverisjes vendore, por edhe qytetarët, duhet të bashkojmë forcat jo vetëm që të shmangim pasojat e EC, por edhe të parandalojmë shkaqet e ndodhjes së tyre”.

“Gjej rastin t’ju bëj thirrje qytetarëve, bizneseve dhe pushtetit vendor, që të rrisin kujdesin dhe përgjegjësinë, pasi një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha. Një cigare e hedhur në vend të papërshtatshëm, mund të kthehet në tragjedi, siç po ndodh me fqinjin tonë.

Dua të lëshoj një apel për të gjithë, se çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo më keq akoma, me paramendim, do të marrë ndëshkimin e duhur nga organet përkatëse. Ne kemi marrë të gjitha masat dhe po koordinojmë punën, me qëllim që strukturat përkatëse të jenë në gatishmëri maksimale për të ndërhyrë në çdo moment, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe pushuesve. Përballja me Emergjencat Civile është një operacion kompleks dhe jo i lehtë për t’u menaxhuar. Sigurisht që kjo kërkon gjithashtu edhe mjetet dhe teknikën e duhur”, – tha Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.