Djaloshi i Dimalit, në formën e “Street Art” në Urën Vajgurore

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ – Pas përurimit të statujës “Djaloshi i Dimalit” në Urën Vajgurore, simbol ky i këtij qyteti, tashmë imazhet do të jenë të fokusuara edhe te pallatet e qytezës.

Pas Tiranës, Ura Vajgurore është një tjetër qytet që po i jep ngjyra ndërtesave përmes artit. Kështu, “Djaloshi i Dimalit” është sot i pikturuar në një prej zonave të frekuentuara të këtij qyteti, nga një prej artistëve më me famë ndërkombëtare në teknikën e artit të rrugës.

Kryetarja e bashkisë Ura Vajgurore ka premtuar të tjera surpriza të bukura për banorët e zonës.

“Djaloshi i Dimalit” është zbuluar në qytetin antik të Dimalit (Dimalitan), që ndodhet 20 km në perëndim të qytetit të Beratit dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike të zhvilluara në trevat e banuara nga fiset ilire, gjatë shek. III-II para Krishtit. Punimet artistike në qeramikë dhe gur të zbuluara nga ekspeditat e arkeologëve shqiptarë, kanë një rëndësi të madhe për njohjen e artit të Dimalit në veçanti dhe atij ilir në përgjithësi. Një nga zbulimet më të rëndësishme që i takon kësaj periudhe, krahas statujës së një femre, e cila mendohet se i përket një hyjneshe ilire, është edhe koka e një djaloshi me emrin Dimal. Aktualisht kjo e fundit ndodhet në Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.

/z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.