PD: Klima armiqësore ndaj biznesit dëmton ekonominë

190

TIRANË, 25 Korrik /ATSH/ -“Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të përjashtuar Shqipërinë nga lista e vendeve mikpritëse të bizneseve amerikane është dënim për ekonominë tonë”, u shpreh sot deputetja e PD dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku.

“Të mos jesh vend mikpritës për bizneset amerikane do të thotë se në Shqipëri ka klimë armiqësore ndaj tyre me taksa të larta, ka konkurrencë të pandershme nga paratë e pista të trafikut të drogës dhe korrupsionit, ka përqendrim të ekonomisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës”, tha Tabaku.

Sipas saj, “vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos e konsideruar Shqipërinë si një vend miqësor për bizneset amerikane nuk është një rrufe në qiellin e hapur të një vendi të qeverisur nga narko-trafikantët dhe oligarkët”.

Kohët e fundit, shtoi Tabaku, “Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar klimën armiqësore ndaj biznesit, por në vend të reagimit për të ndryshuar situatën, kryeministri Rama ka sulmuar publikisht, Kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë”.

“Thuajse në të gjitha raportet, Dhoma Amerikane e Tregtisë kundërshton rritjen e taksave dhe pengimin e investimeve serioze amerikane nga burokracitë. Apo thënë ndryshe nga korrupsioni, që është edhe një nga kriteret e përdorur nga Departamenti amerikan i Shtetit për futjen e Shqipërisë në listën e zezë të vendeve jomiqësore për biznesin amerikan”, theksoi Tabaku.

“Opozita e ka denoncuar me forcë këtë sjellje të qeverisë, për shkak të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm ekonomik në botë, partneri ynë strategjik, renditet në vendet e fundit sa i takon investimeve të huaja në Shqipëri”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, “Sot në Shqipëri nuk ka më vend për investitorë amerikanë, sepse ato i kanë zënë investitorët rusë e gjeorgjianë. Sot të vetmit që marrin tendera janë miqtë e kryeministrit. Sot çdo PPP jepet nga qeveria pa garë, me ofertë të pakërkuar. Sot ligjet bëhen me emra biznesesh. Sot praktikisht në ekonomi nuk ka më garë. Sot në Shqipëri nuk ka investitorë amerikanë dhe investitorë të tjerë të huaj, sepse askush nuk investon në një vend ku çdo pushtet e ka marrë kryeministri. Askush nuk investon në një vend ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është asgjësuar nga kryeministri”.

“Zgjidhja e vetme për këtë krizë të thellë politike dhe ekonomike është çlirimi i qeverisjes, çlirimi i tregut nga oligarkia, paratë e pista të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor! Shqipëria nuk mund të jetë më vendi që punon për pasurimin e kryeministrit, disa ministrave dhe një grushti oligarkësh e bosësh të krimit të lidhur me ta”, nënvizoi Tabaku.

“Partia Demokratike është e vetmja forcë që mund ta kthejë ekonominë në duart e sipërmarrësve dhe tregtarëve të ndershëm, të rikthejë Shqipërinë në vendin më mikpritës për investimet amerikane dhe investimet e tjera të huaja në rajon! Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit Antimafia, ne do t’u kthejmë shqiptarëve çdo qindarkë dhe çdo pasuri publike, të grabitura nga qeveria e krimit dhe e korrupsionit”, përfundoi deklaratën e saj deputetja e PD, Jorida Tabaku.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.