Nis rikonstruksioni, hyrja e Tiranës nga “Kombinati” me pamje të re

TIRANË, 25 korrik/ATSH/- Hyrja nga “Kombinati” për në Tiranë po merr një pamje të re.

Pas rehabilitimit të hyrjeve nga rruga e “Elbasanit”, rruga e “Dibrës” dhe rruga “Dritan Hoxha”, bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor nga mbikalimi i shkollës “Teknologjike” deri në “Kombinat”, si hyrja e katërt e kryeqytetit. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi punimet që po kryen në këtë aks, ndërsa theksoi se Tirana do të ketë një tjetër hyrje dinjitoze, me standarde dhe korsi të kushtuara për biçikletat.

Ai theksoi se ky investim do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të Njësisë 6, por edhe automjeteve që vijnë nga Jugu apo Perëndimi, që do të përdorin rrugën nacionale nga Ndroqi, e cila gjithashtu do të rikonstruktohet.

“Duke harmonizuar dy projektet, pra projektin e hyrjes nga ‘Kombinati’ me projektin e Ministrisë së Transporteve për rrugën e Ndroqit, i kemi dhënë edhe një valvul shkarkimi qytetit. Siç e shikoni, zona është prekur nga disa investime. Kemi përfunduar investimet në shkolla, kopshte dhe çerdhe në fillim. Kemi sistemuar totalisht varrezat e Sharrës, të cilat sot është një hapësirë shumë më dinjitoze, për të treguar se jemi qytet me vlera, ku respektojmë edhe ata që nuk jetojnë më, por që kanë kontribuar në qytetin tonë. Këto investime që deri dje kanë qenë ishuj po i bashkojmë me këto akse rrugore. Kështu, rruga nga Sharra deri në hyrje të Tiranës, te Fabrika e Miellit, do të jetë me të gjitha standardet”, – u shpreh Veliaj.

Ai veçoi faktin se, ashtu si çdo rrugë e re në Tiranë, edhe ky aks do të ketë në të dyja krahët korsi të kushtuara për biçikletat, çka do të jetë një shtysë edhe më shumë për përdorimin e dyrrotakëve si një alternativë, jo vetëm me më pak kosto, por edhe më e shëndetshme për lëvizjen në Tiranë.

Ndërkohë, Veliaj shtoi se krahas aksit kryesor, po vijojnë punimet edhe në rrugët dytësore, për një rrjet të plotë të rrugëve të asfaltuara në zonë.

“Kemi aksin kryesor, por po punojmë në të dy anët, edhe nga “Misto Mame”, edhe nga “Musine Kokalari”. Po shtrijmë investimin në nivel kapilar deri te pragu i shtëpisë, investime që nuk e kishin prekur “Kombinatin” prej vitesh. Por, kjo kërkon mirëmbajtje; teksa mbarojmë aksin kryesor me dy xhepat anësorë, vijojmë në nivel kapilar në zonat ku qeveria ka ecur me legalizimin. Duke ecur bashkë, fillimisht legalizim, pastaj urbanizim, mund të bëjmë çdo qytetar të zonave informale përreth Kombinatit të ndjehet njësoj ‘tirons’ si kushdo tjetër që e ka shtëpinë buzë rrugës së “Kombinatit” apo në “Bllok””, – u shpreh ai.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi realizimin e këtij projekti, i cili do t’i japë zgjidhje çështjes së trafikut në një nga akset kryesore hyrëse në kryeqytet.

z.tosku/j,p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.