Gjirokastër/ Zhvillohet takimi i Komitetit Rajonal të luftës kundër trafikimit të personave

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ – Masat dhe angazhimi i institucioneve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në qarkun e Gjirokastrës ishte në fokus të takimit të Komitetit Rajonal të zhvilluar në këtë qark.

Takimi është zhvilluar në institucionin e Prefektit të Gjirokastrës, ku për herë të parë kanë marrë pjesë edhe drejtues të institucioneve joqeveritare pjesë e Unionit “Stop krimit”.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj theksoi se bashkëpunimi me organizatat joqeveritare dhe organeve kompetente i jep shtysë më të madhe luftës ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, pasi këto të fundit janë të shtrira aty ku ka komunitete shqiptare.

“Për herë të parë mori pjesë edhe shoqata joqeveritare “Stop krimit”. Kjo shoqatë që është shtrirë jo vetëm në Shqipëri, por këta janë shtrirë edhe në Athinë, në Itali, Zvicër, ku ka komunitete shqiptare.

Kjo ishte një risi në luftën kundër trafikimit që arritëm të bashkojmë dhe të bashkëpunojmë në mënyrë direkte me institucionet ligjzbatuese siç është Policia dhe Shërbimet Informative.

Këto organizata joqeveritare kanë linjat e tyre dhe kanë kontribuar mjaft në këtë fushë, sidomos në gjetjen e personave të trafikuar”, –  theksoi prefekti Aliaj.

Në fjalën e tij Prefekti vlerësoi rezultatet e arritura në këtë drejtim si dhe vuri theksin në intensifikimin e punës së të gjitha institucioneve shtetërore. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.