Foto/ Agjencia e Parqeve, apel qytetarëve të mbajnë pastër mjedisin

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ – Ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes në bashkinë e Tiranës po kujdesen për një qytet sa më të pastër dhe të gjelbëruar, shumë qytetarë ende nuk janë ndërgjegjësuar duke hedhur mbeturinat në vende të pacaktuara.

Punonjësit përkushtohen në mirëmbajtjen e qytetit veçanërisht në pikat turistike të qytetit, një prej të cilave mbetet Parku i Madh i Liqenit. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit të bashkisë së Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve për të mbajtur pastër ambientet, duke shmangur ndotjen nga hedhja e mbeturave vend e pa vend.

“Pastrim, pastrim, pastrim përditë në Parkun e Madh, sepse sa shumë e duan, po aq shumë edhe ndotet!!! Hedhin çdo gjë siç u vjen kudo, në ujë, përdhe, në park. Kosha mbeturinash plot, kudo por shumë frekuentues zgjedhin rrugën më të keqe – i flakin ku t’u teket! Sa keq”, – thuhet në faqen zyrtare të APR.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.