Aksioni tatimor në sezonin turistik, uli evazionin fiskal dhe rriti të ardhurat e punësimin

DPT publikon rezultatet e zbatimit të planit të masave për sezonin turistik

TIRANË, 25 korrik /ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) në kuadër të masave që ka ndërmarrë për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2018, ka ulur evazionin fiskal ka rritur të ardhurat, numrin e vendeve të punës si dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për të tërhequr kuponin tatimor.

Për periudhën qershor-korrik inspektorët tatimor kontrolluan 5040 subjekte, nga të cilat 2 mijë u konstatuan me shkelje dhe u gjobitën me masa administrative në shumën e 75.2 milionë lekë.

DPT bën të ditur, se rreth 200 subjekte që operonin në kushte informale në sektorin e akomodimit, janë detyruar të kryejnë regjistrimin në organet tatimore. Ndërsa në sektorin e punësimit, formalizimi solli si rezultat regjistrimin si të punësuar të mbi 14 mijë individëve, pjesa më e madhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës (5,458), DRT Vlorë (3,377) dhe DRT Sarandë (2,208).

Gjithashtu DPT konstatoi 320 punonjës të padeklaruar në organet tatimpaguese, të cilët tashmë janë futur në skemën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.

Bilancit të rezultateve tatimor, i shtohet edhe mbledhja e detyrimeve të papaguara.

290 debitorë janë kontaktuar nga organet tatimore dhe janë arkëtuar rreth 35 milionë lekë detyrime të prapambetura. Ndërsa 510 tatimpagues kanë rritur detyrimin për pagesën e TVSH, një rritje kjo rreth 463% më e lartë krahasuar me sezonin turistik të vitit të kaluar, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.