400 aplikantë në 15 qytete, u trajnuan për grantet e pyjeve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/- Sot në Bulqizë u mbyll fushata e informimit mbi Manualin Operacional të Granteve, Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve 2018, financuar nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze me 2.3 milionë euroi.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Projekti i Shërbimeve Mjedisore trajnuan rreth 400 të interesuar në 15 qytete në të gjithë Shqipërinë për më shumë se një muaj.

Thirrja e dyte per aplikime u hap në datën 20 Korrik dhe do të zgjase deri më 10 Shtator 2018. 

Objektiv kryesor i projektit është rivendosja, ruajtja dhe përmirësimi i ekosistemeve malore, përmirësimi i bujqësisë, pylltarisë, mbështetja në zgjerimin dhe përmirësimin e burimeve pyjore, si dhe parandalimin e zjarreve në pyje.

Masa e mbështetjes është “Zhvillimi dhe Mbrojtja e Pyjeve, Kullotave dhe Ekosistemeve kryesisht ne Zona të Larta Rurale”. AZHBR është agjencia implementuese, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, do të implementojë këtë komponent nga aplikimi deri ne disbursim. Aplikantët potencialë për këtë komponent janë; Shoqata të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave; Individë Fermerë të cilët mund të jenë pronarë të siperfaqeve pyjore/kullosore apo ato individë përdorues të sipërfaqes pyjore/kullosore që zotërojnë një kontratë të ligjshme përdorimi me ish-komunën ose bashkinë.

Aplikantët potencialë mund të jenë edhe një pjesë e fermerëve të tokave bujqësore, pronat e të cilëve janë planifikuar për tu mbështetur me aktivitete specifike në kuadër të praktikave të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës. Këto aktivitete specifike janë planifikuar me hartimin e 30 planeve të menaxhimit të mikrobaseneve. e.xh/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.