Skënderbeu prezanton blerjen e re Dejvi Bregun

164

TIRANË, 24 Korrik /ATSH/ -Dejvi Bregu është bashkuar këtë të hënë me Skënderbeun, mbyllur përfundimisht huazimin te Luftëtari.

Mesfushori ka firmosur në janar të këtij viti kontratën 3-vjeçare, që e lidh me KF Skënderbeu deri më janar 2021.

Pas huazimit për dy fazat e mbetura të sezonit 2017/18 dhe kupat e Europës tek ekipi i Luftëtarit, klubi zgjodhi të kthejë në Korçë talentin 22-vjeçar, i cili menjëherë është vënë nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi për të vijuar përgatitjet për sezonin e ri.

Pas fotove zyrtare, Bregu doli në konferencë për shtyp ku ju përgjigj interesit të mediave.

“Duke parë që është klubi më i madh në Shqipëri, nuk kisha nevojë të mendohesha dy herë. Pavarësisht se unë kam firmosur që në janar të 2018, ndoshta erdha pak vonë në Korçë, por që më mirë vonë sesa kurrë. Skënderbeu është një emër i madh, padrejtësisht u la jashtë nga Kupat e Europës, është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe titulli mbetet objektivi ynë primar. Do të jap jo 100% por 200%. Nuk kam nevojë të motivohem sepse vetë emri i Skënderbeut të motivon. Jam gati për këtë sfidë”, – u shpreh ndër të tjera Bregu në të parën dalje publike me fanellën bardhekuqe.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.