Shkëmbimi i çmendur Higuain-Bonuçi, qendërmbrojtësi kërkon bardhezinjtë

TIRANË, 24 korrik/ATSH-A. Fortuzi/ – Duket si një film, por është realitet. Leonardo Bonuçi është shumë pranë rikthimit te “Juventus”, skuadër prej të cilës u largua 1 sezon më parë.
Mediat italiane raportojnë se mes bardhezinjve dhe “Milanit” kanë nisur tratativat për një shkëmbim të çmendur, mes qendërmbrojtësit italian dhe sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain.

Siç njoftojnë mediet italiane, Milan për t’i shpëtuar Fair Play-t financiar i duhet të sakrifikojë një nga lojtarët më të mirë në skuadër, por falë raporteve të mira me kampionët e Italisë, largimi i Bonuçit mund të amortizohet me afrimin e Higuain. Të dy lojtarët duket se kanë dhënë dakordësinë e tyre. Madje, sipas “Sport Mediaset”, Bonuçi është gati të pranojë uljen e rrogës së tij për t’u rikthyer te “Juventusi”. Qendërmbrojtësi u largua një sezon më parë nga “Zonja e Vjetër” për shifrën e 40 milionë eurove, ndërsa Higuain u ble nga “Juventusi” dy sezone më parë për 90 milionë euro. Mësohet gjithashtu se përtej këmbimit të lojtarëve, “Juventusi” pretendon dhe një vlerësim ekonomik, pasi Higuain normalisht ka një vlerë në treg disa herë më të lartë se Bonuçi. Ky i fundit, raportojnë mediet italiane ka bërë dhe një tentativë në janar për t’u transferuar sërish tek “Juventusi”, por “Milani” refuzoi, pasi do ishte një “skandal” për drejtuesit kuqezi, që do e përjetonin si një dështim personal. Tashmë që drejtuesit e “Milanit” janë ndërruar, largimi i Bonuçit nuk do përjetohej si humbje e madhe.
Bonuçi përfiton te “Milani” 7.5 milionë euro dhe vlera e tij në treg kap shifrat e 35 milionë euro. Higuain nga krahu tjetër fiton sa Bonuçi te “Juventusi” dhe kushton rreth 60-65 milionë euro.
Bonuçi kërkohet dhe nga “PSG”, por qendër mbrojtësi kërkon mbi çdo gjë “Juventusin”, kjo për shkak se familja e futbollistit jeton ende në Torino dhe skuadra e “Juventusit” është një njohje goxha e ëmbël për qendërmbrojtësin, që te bardhezinjtë ka fituar 6 tituj rresht të kampionatit italian. Ardhja e Bonuçit te “Juventusi” do të përkthehej me largimin e Ruganit, i cili është pranë “Çelsit” për shifrën e 50 milionë eurove. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.