Rreziku ndaj zjarreve, Goxhaj: 16 automjete dhe 116 forca zjarrfikëse në gatishmëri

TIRANË, 24 korrik/ATSH-A. Fortuzi/- Shërbimi Zjarrfikës në Tiranë ka marrë të gjitha masat për të parandaluar rënien e zjarreve. Duhet thënë se ky shërbim ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet shtetërore në kuadër të një plani masash për parandalimin e zjarreve në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

Gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, tha se përgatitja për përballimin e situatave të zjarrit ka nisur që në muajin maj. Ai u shpreh se Shërbimi Zjarrfikës ka marrë masa në dy drejtime. “Së pari, jemi përqendruar përmes bashkëpunimit me institucionet shtetërore të tjera të parandalimit të zjarreve dhe së dyti, mbajmë në gatishmëri pajisjet dhe makineritë që kemi në dispozicion. Konkretisht 16 automjete dhe 116 forca zjarrfikëse”, – tha Goxhaj.

“Gjithashtu në kuadër të parandalimit të zjarreve kemi kaluar dhe në gatishmëri të përforcuar, për shkak se dihet që me rritjen e temperaturave në muajt korrik-gusht dhe fillimi i shtatorit rritet mundësia e rënies së zjarreve dhe i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës të bashkisë së Tiranës është në gatishmëri të plotë. Një masë tjetër e jona, nën drejtimin e Prefektes së Qarkut, masë që kemi nisur që herët, janë takime me drejtuesit e njësive administrative ku ka pyje dhe kullota për t’u bërë të qartë atyre që të flasin me ndërlidhësit e komunitetit dhe nëpërmjet tyre t’u transmetojnë qytetarëve rëndësinë e një qasjeje më të kujdesshme gjatë muajve korrik-gusht-shtator për të mos qenë shkaktarë të zjarreve, sepse në pjesën më të madhe të zjarreve shkaktare është dora e njeriut, nga pakujdesia, duke dashur të eleminojnë mbetje bujqësore apo të tjera lloje”, – tha Goxhaj.

“Prandaj, – shtoi Goxhaj, – u kemi bërë thirrje gjatë kësaj periudhe të mos përdoret zjarri në zonat me pyje e shkurre, apo barëra, etj., për hapjen e tokave të reja. Policia e Shtetit dhe inspektoriati jonë është në terren për të monitoruar dhe për të marrë masa ndaj çdokujt që mund të tregohet i pakujdesshëm”.

Ai deklaroi se, “për të përballur këto situata kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Agjencinë e Pyjeve, Parqeve dhe Rekreacionit. Këto dy drejtori kanë nisur organizimin vullnetar në territoret e njësive administrative. Kjo është një risi për shërbimin tonë zjarrfikës”, – tha Goxhaj gjatë prononcimit për ATSH, i cili shtoi se falë këtyre masave në zonën e Tiranës nuk ka pasur problematika të shtuara, por çdo gjë fatmirësisht, ka rrjedhur normalisht.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj tha se zjarret janë të paparashikueshëm prandaj të gjitha institucionet duhet të jenë në gatishmëri. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.