Milot-Balldren, hapet gara për projektin e tretë të paketës “1 miliard”

TIRANE, 24 korrik /ATSH/- Ministria e Infrastrukurës dhe Energjisë (MIE) ka hapur procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre, projekti i tretë i paketës “1 miliard” me një fond limit prej 20 miliardë lekë.

Projekti i propozuar përfshin ndërtimin e segmentit rrugor “Milot–Balldre”, si dhe ndërtimin e tunelit me 1 portal në malin e Rencit. Gjatësia e autostradës Milot-Balldren është 17.2 kilometra dhe përfshin rrugën automobilistike kryesore 15 km+570.35m dhe tunelin përkatësisht me gjatësi 850m. Ura e Matit, parashikohet të jetë me gjatësi 620 m dhe Ura e Drinit, me gjatësi 223.4 m.

Gjithashtu projekti i kësaj vepre të rëndësishme, detajon ndërtimin në total të 9 500 metër rrugë dytësore dhe rruge lidhëse të nyjeve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj zone.

Ky aks lehtëson gjithashtu komunikimin me pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë dhe me shtetin fqinj, Malin e Zi. Kjo rrugë njëkohësisht realizon dhe by-passin e qytetit të Lezhës që është shumë i domosdoshëm për këtë qytet.

Ndërtimi i rrugës Milot-Balldre, vjen në një kohë kur qeveria ka nisur ndërtimin e rrugës së “Arbrit” dhe i ka hapur rrugë negocimit të kontratës Thumanë-Vorë, vepra të rëndësishme këto në infrastrukturën kombëtare shqiptare, me impakt në ekonominë e vendit dhe jetën sociale. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.