Haradinaj: Kompromisi më i dhimbshëm për Kosovën është njohja nga Serbia

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas mbledhjes së Qeverisë se kompromisi më i dhimbshëm është njohja nga shteti serb.

“Nuk ka kompromis më të dhimbshëm sesa fakti i njohjes me Serbinë. Njohja nënkupton njëfarë falje. Jo që është falje e krimeve, por është njëfarë kalimi nga ajo dhimbje kur të vijë njohja me Serbinë. Ky është një kompromis i dhimbshëm. Ky është më i vështiri”, – tha ai. Ndërsa sa i përket asaj se kur do të fillojë rishikimi i kufirit me Malin e Zi, Haradinaj tha se prioritet ka liberalizimi i vizave.

“Ne kemi ratifikuar marrëveshjen, njëkohësisht raportin dhe deklaratën e presidentëve. Por ka kohë për t’u bërë. Kemi interes me kryetemën e liberalizimit të vizave, pastaj i kthehemi kësaj teme”, – tha Kryeministri.

Përgjigje të njëjtë Haradinaj e dha edhe sa i përket demarkimit me shtetin serb.

“Ne kemi të premten që vjen takimin e nivelit të lartë të rendit dhe të ligjit ku do të flasim për rastet e shënjestruara, po ashtu do të flasim për rastet e grumbulluara. Me këtë po dua të them se fokusimi ynë nuk do të largohet dhe nuk do të heqim vëmendjen tek liberalizimi. Komisioni shtetëror ekziston, kurdo që kjo temë është në tavolinë do ta diskutojmë por tani nuk kemi ndonjë gjë në këtë fushë”, – tha Kryeministri. /KosovaPress//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.