GJERMANI – Maas: Europa nuk mposhtet nga kërcënimet e Trump për tarifat doganore

BERLIN, 24 korrik /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian nuk do të mposhtet nga kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore, theksoi kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas një ditë para bisedimeve amerikano-europiane për shmangien e një lufte tregtare.

“Europa nuk do të lejojë të jetë e kërcënuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Sepse, nëse ne e lejojmë një herë këtë, atëherë do të përballemi me këtë lloj sjelljeje më shpesh”, theksoi Heiko Maas në një postim në “Twitter”.

“Askush nuk ka interes për taksa doganore, sepse në fund të gjithë do të jenë humbës”, nënvizoi ai, ndërkohë që Gjermania dhe sufiçiti i saj tregtar kanë qenë shpesh shënjestër e kritikave amerikane.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të shkojë nesër në Uashington, në një klimë të tendosur, për bisedime të destinuara për të penguar një luftë tregtare të plotë me Donald Trump.

Uashingtoni ka vendosur tashmë që prej qershorit tarifat doganore për çelikun dhe aluminin europian, një vendim që ka përkeqësuar edhe më tej marrëdhëniet transatlantike./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.