Foto/ Shërbim shëndetësor 24 orë gjatë sezonit turistik veror

TIRANË, 24 korrik/ATSH/- Ministria e Shëndetësisë ka ngritur 26 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin, për të rritur kujdesin shëndetësor ndaj qytetarëve dhe pushuesve gjatë këtij sezoni veror.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se në të gjithë vendin janë mbi 13 mijë pushues që kanë marrë ndihmën e parë në 26 qendrat shëndetësore verore të stacionuara në 17 zonat më të frekuentuara turistike. Këto të fundit, kanë qenë vendimtare në të paktën 230 raste të shpëtimit të jetës në zonat turistike në të gjithë vendin.

Një nga plazhet më të frekuentuara mbetet ai i Velipojës, ku qendra shëndetësore verore  ka ofruar shërbimin në kohë dhe me cilësi për pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë plazh. Një nga rastet ka qenë shpëtimi i 18-vjeçarit nga paraliza, pas dhënies së ndihmës së shpejtë nga Urgjenca.

Këto qendra janë të hapura 24 orë në 7 ditë dhe janë të pajisura me sinjalistikë të dallueshme. Në to gjenden të gjitha mjetet dhe pajisjet e nevojshme, ndërsa personeli i mjekëve është trajnuar për të përballuar problemet shëndetësore në sezonin veror.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.