Foto/ Punonjësit e Policisë Bashkiake i bashkohen thirrjes për të dhuruar gjak

TIRANË, 24 korrik/ATSH/- Thirrjes së Presidentit Ilir Meta për të dhuruar gjak iu bashkuan sot edhe punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës. Disa dhjetëra efektivë vendosën të japin një kontribut për të gjithë ata persona që, në një moment të jetës së tyre, kanë nevojë për gjak.

Nisma u përshëndet edhe nga kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo iniciativë fisnike dhe se dita e sotme është një provë e sinqertë e angazhimit në shërbim të qytetarit.

“Jam shumë krenar për të gjithë kolegët e Policisë Bashkiake. Bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo nismë fisnike, për të dhënë një kontribut të prekshëm për qytetarët. Policia Bashkiake i është përgjigjur thirrjes së Presidentit të Republikës, siç i përgjigjet thirrjes së çdo qytetari që ka nevojë për Policinë Bashkiake. Këta punonjës bëjnë një nga punët më të vështira, më delikate, që kërkon shumë nerva e durim. Sikur një ditë të mos jetë Policia Bashkiake, rikthehet Kandahari që kemi pasur. Për një institucion, i cili është kaq shumë në vëmendje të publikut, besoj se dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë është prova më e sinqertë e këtij angazhimi”, – tha Veliaj.

Ai falenderoi miqtë e Kryqit të Kuq, si partnerë lokalë në këtë aleancë të shpallur nga Presidenti i Republikës. “Do të donim që çdo degë e Kryqit të Kuq të ishte partner i çdo bashkie në terren, për t’u siguruar që ky binom, Bashki – Kryqi i Kuq, funksionon në të gjithë territorin”, – nënvizoi kreu i bashkisë.

Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Shoqatës për Autonominë Vendore, kërkoi që shembulli i bashkisë së Tiranës të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera në vend, duke u bërë pjesë e aleancës për dhurimin e gjakut.

Kryeinspektori i Policisë Bashkiake së Tiranës, Ermal Kapllani, shprehu vullnetin e punonjësve të këtij institucioni për të dhuruar gjak duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. “Jemi shumë të lumtur për kontributin që po japim në ndihmë të fëmijëve në nevojë”, – tha ai.

 

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.