Rritet siguria në rrugë, ulet me 23.2% numri i aksidenteve rrugore krahasuar me 2017

TIRANË, 23 korrik/ATSH-A. Fortuzi/ – Rritet siguria në rrugët e Shqipërisë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave rezulton se, në muajin qershor 2018 numërohen 142 aksidente rrugore nga 185 aksidente të ndodhura në qershor 2017, duke u ulur me 23,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në qershor 2018, numri i të aksidentuarve është 217 persona nga 245 që ishte një vit më parë, duke u ulur 11,4 %. Numri i të aksidentuarve në gjashtëmujorin e parë 2018, është 1066 duke ulur 11,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin qershor 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 20 persona nga 12 që ishte një vit më parë. Në gjashtëmujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 98 nga 105 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në qershor 2018, në 79,6 % të rasteve të aksidenteve rrugore, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25–35 vjeç, duke zënë 26,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grupmoshë janë ulur me 14,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në gjashtëmujorin e parë 2018, në 19,7 % të rasteve të aksidenteve rrugore, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 12,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.