Korçë/ Transportonte produkte mishi jashtë standardeve, bllokohet nga AKU

284
TIRANË, 23 korrik /ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në vijim të masave për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të mishit në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik, ka konstatuar se shtetasi Josif Dodi kishte ngarkuar në bagazhin e automjetit, produkte mishi jashtë kushteve frigoriferike.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU, Korçë në bashkëpunim me sektorin e Krimit Ekonomik konstatuan se mjeti me targa “AA 233 NR” kishte të ngarkuar në bagazhin e tij produkte mishi, përkatësisht 20 kg kokë lope, 7 kg të brendshme dhe 3 lëkurë lope.
Automjeti është sekuestruar menjëherë si dhe shtetasi Josif Dodi është dërguar në ambientet e Drejtorisë Rajonale Korçë.
Në deklarimin e subjektit thuhet se produktin e ka marrë në një fermë blektorale të shtetasit Feti Pasho, por nga verifikimet e inspektorëve të AKU-së rezultoi të ishte deklarim i rremë, pasi nuk u konstatua gjurmë therjeje apo mjete për therjen e kafshëve.
Për shkeljen e mësipërme, përveç masës administrative së bllokimit të produktit dhe konfiskimit të automjetit, u mor edhe masë administrative me gjobë në vlerën 250.000 lekë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje
konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore, duke kërkuar
informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë
veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.
Gjithashtu, AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët. /e.xh/ j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.