Jo më çështje vullneti, drejtuesit e shkollave larg politikës me ligj

258

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ – Shkolla e drejtorëve do të mënjanojë çdo ndikim politik në punësimin dhe ushtrimin e funksionit të tyre.

Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë fjalës së mbajtur përpara deputetëve, lidhur me ndryshimet ligjore për sistemin parauniversitar.

“Modeli i shkollës së drejtorëve është bazuar në praktika dhe modele më të suksesshme në disa vende të botës të kontekstualizuara për kontekstin shqiptar. Me statusin dhe financimin e shkollës së drejtorëve, ky institucion do të gëzojë pavarësinë administrative, vendimmarrje, financiare nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit. Shkolla e drejtorëve do të drejtohet nga një bord drejtues i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, nga përfaqësues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim si dhe partnerë të tjerë të fushës së arsimit. Për më tepër, pranë shkollës së drejtorëve krijohet edhe bordi këshillimor, si një organ konsultativ, i përbërë nga palë të interesuar të fushës. Ky model është zgjedhur për të mënjanuar çdo ndikim politik në punësimin dhe ushtrimin e detyrës së drejtorit të shkollës”, – tha Nikolla.

Sipas saj, shkolla e drejtorëve do të shërbejë edhe si institucion për hartimin e politikave arsimore.

“Përmes certifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare, krijohet Shkolla e Drejtorëve që do të mundësojë zhvillimin profesional të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare publik apo privat, nëpërmjet procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor të pajisjes me certifikatë, procesit të trajnimit të vazhdueshëm dhe të specializuar, procesit të provimit dhe certifikimit e institucioneve arsimore parauniversitare. Shkolla e drejtorëve do të luajë rol në kyç në hartimin e politikave dhe zhvillimin e studimeve në bashkëpunim me institucionet  përgjegjëse të arsimit parauniversitar”, – shtoi ajo. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.