Dhuna në familje, Manastiliu: Janë shtuar denoncimet nga gratë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/-Miratimi i ligjit për dhunën në familje vjen si përgjigje ndaj rritjes së numrit të denoncimeve ku vetëm në 6 muajt e parë të vitit janë bërë 2277 denoncime për dhunë në familje dhe regjistruar 1387 kërkesa për urdhër-mbrojtje, ku 74% të tyre janë gra dhe vajza.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur gjatë seancës plenare të kësaj të hëne se, ndryshimet ligjore që janë propozuar për ligjin ekzistues kundra dhunës në familje, siguron mbrojtje të veçantë ndaj çdo forme të dhunës. Po kështu, ajo tha se ligji vjen edhe si kërkesë e shoqërisë civile dhe përafrimin me ligjin e BE-së.

“Sjellim një projektligj shumë të rëndësishëm që mbron familjen dhe pjesëtarët e familjes duke parandaluar dhe siguruar mbrojtje të veçantë ndaj çdo forme dhune sidomos për ata anëtare të familjes që janë më të pambrojtura. Rastet për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje tregojnë se dhuna është ende e pranishme në realitetin shqiptar. Ajo shfaqet në forma të ndryshme deri në ato më ekstremet ku më së shumti, viktimat janë gratë dhe vajzat dhe fëmijët. Të dëmtuar në familje, gra dhe vajza janë 74% të numrit total të viktimave të dhunës, duke treguar qartë se dhuna në familje është dhunë gjinore që prek më së shumti bashkëshortet, motrat dhe bijat”, ka theksuar Manastirliu.

Më tej, ajo ka vënë në dukje se vetëm në 6 muajt e parë të vitit janë regjistruar 2277 denoncime për dhunë në familje.

“Miratimi i këtij ligji vjen në përgjigje të rasteve të shtuara të denoncimeve të dhunës në familje. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë bërë 2277 denoncime për dhunë në familje dhe janë regjistruar 1387 kërkesa për urdhër mbrojtje. Por padyshim ka disa mangësi që janë raportuar gjatë ligjit ekzistues”, ka thënë ministrja.

Sipas saj,  Shqipëria mbetet shembull në rajon lidhur me buxhetimin gjinor.

“Aplikimi i buxhetimit të ndjeshëm gjinor, sigurisht është një tregues që qeveria shqiptare është e vetëdijshme për rëndësinë e buxhetimit gjinor si një parim kyç, në përgatitjen e buxhetit. Si rezultat 2.3% e buxhetit  të shtetit ndahen  për iniciativa dhe investimet e ndjeshme gjinore, në planifikimin e buxhetit afatmesëm. Aktualisht janë 28 programe sektoriale në projektbuxhetin afatmesëm 2018-2020. Dhe  tashmë vendi ynë është shembull në rajon, përsa i përket buxhetimit gjinor”, ka përfunduar ajo.

z.tosku/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.