Balla: Bojkoti i opozitës pa arsye, institucionet e reja të Drejtësisë, shumë shpejt në funksionim

TIRANË, 23 korrik/ATSH/-Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat, jashtë ambienteve të Kuvendit pas përmbylljes së seancës, ka theksuar se bojkoti i opozitës për votimin e ligjit të magjistraturës nuk ka arsyetim.

“Kemi pasur një komunikim me opozitën. Na vjen keq që kjo çështje që është thjesht një ndryshim afati dhe që nuk ka të bëjë aspak me një çështje të rëndësishme, të binarëve të rëndësishëm të paketës së reformës në Drejtësi, opozita nuk erdhi të jepte dakordësinë e saj. Sikurse edhe për një çështje tjetër që më shumë sesa i përket interesit të punës së përditshme parlamentare, ka të bëjë me interesin e përditshëm të atyre qytetarëve shqiptarë që lëvizin me leje drejtimi të vendeve të huaja apo të shtetasve të huaj që lëvizin të shumtë në Shqipërisë, këto ditë pushimi në verë, të kishim mundësi të ndryshimit rrugor”, -tha Balla.

Më tej, ai vuri në dukje se edhe pse opozita refuzoi të votonte ligjin, shumë shpejt do të ngrihen institucionet e reja të Drejtësisë.

“Kjo nuk është një problem i pazgjidhshëm sepse të gjithë e dimë që shumë shpejt, qoftë këshilli i emërimeve në drejtësi, por edhe këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i prokurorisë, do të jetë funksional dhe do jetë KLGJ që do përcaktojë se cila është nevoja e numrit të pranimeve të Shkollës së Magjistraturës për magjistratët gjyqësorë apo numri i nevojave që ka institucioni i prokurorisë, me prokurorë të rinj që mbarojnë magjistraturën dhe hyjnë në sistem. Sot unë ende nuk gjej një shpjegim për arsyen e vërtetë për bojkotin, nga ana e opozitës”, -tha Balla.

Më tej, ai sqaroi se “edhe ligji që votuam për avokatinë dhe amendamenti i propozuar prej meje dhe zotit Manja , është një hap i rëndësishëm drejt moralit, pastërtisë së figurës së atyre që veprojnë në sistemin e drejtësisë dhe avokatëve. Kemi miratuar një amendament që garanton që personat që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë të cilët largohen për shkak të Vetingut për një kohë të caktuar, nuk mund të kryejë profesionin e avokatit duke dhënë garanci .

“Dua t’iu them që prej shtatorit ë 2017-ës, ne kemi shprehur gatishmërinë për të pasur dialog me opozitën, në vijim të çështjeve të trajtuara në marrëveshjen e 17 majit 2017.

“Në shtator, na pret një punë intensive që ka të bëjë me adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përsa i përket reformës zgjedhore dhe dua t’i them sot opozitës zyrtarisht se, jemi vonë por ende jo shumë vonë për të përmbyllur brenda afatit që vendosëm sot dhe këtu kuptohet serioziteti i kërkesave. Sot duhet të ishte opozita në sallë për të votuar ndryshimin e afatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Brenda fundit të shtatorit duhet të kemi komplet paketën për t’u bërë publike dhe më pas për të vijuar me seancë plenare, të ndryshimit në disa ligje për të ndryshuar kodin zgjedhor apo ligjin për partitë politike, që janë pjesë e rekomandimve të OSBE/ODIHR”, -përfundoi Balla. z.tosku/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.